Ministria Tregtisë dhe Industrisë mirëpret hyrjen në fuqi të MSA-së

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, Të nderuar përfaqësues të bizneseve, Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA) në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka hyrë në fuqi sot. Kjo është një marrëveshje kontraktuale me BE-në dhe si e tillë definon hapat ekonomik, politik dhe legjislativ të procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian si dhe forcon më tej demokracinë dhe subjektivitetin e shtetit të Kosovës.

Marrëveshja si e tillë mundëson një kornizë të avancuar legjislative duke u mbështetur në praktikat më të mira të vendeve evropiane dhe përveç tjerash krijon një ambient më të favorshëm për investimet e huaja potenciale në vendin tonë. Në aspektin tregtar, për sa i përket eksportit në Bashkimin Evropian, të gjitha produktet industriale të prodhuara në Kosovë do të eksportohen në shtetet e BE-së me tarifë doganore zero. Tarifat doganore do të hiqen plotësisht (nga hyrja në fuqi) për produkte bujqësore, (gjithsej janë 2,564 produkte bujqësore, të përpunuara bujqësore dhe produkte peshku), përveç mishit, verës dhe produkteve të sheqerit. Ndërsa sa i përket importit nga BE, 1,131 produkte industriale do të liberalizohen gradualisht brenda një periudhë prej 5 vitesh. Ndërsa, 925 produkte industriale do të liberalizohen gradualisht brenda një periudhe 7 vjeçare nga hyrja në fuqi e MSA-së. Që nga hyrja në fuqi e MSA-së, Kosova do të shfuqizojë tarifat doganore për 1,044 nga 2,564 produkte bujqësore nga BE-ja. Ndërsa, 164 produkte bujqësore të BE-së tashmë janë të liruara nga tarifa doganore me Ligjin Nr. 04/L-163 për Mallrat e Liruara nga Tatimi Doganor dhe Mallrat me Tarifë Zero të Tatimit Doganor. Ndërsa, 256 produkte senzitive bujqësore (180 produkte bujqësore dhe 76 produkte të procesuara bujqësore) të rëndësishme për fermerët e Kosovës do të mbrohen për 7 vjet. Kurse, 14 produkte kanë qenë të pa-negociueshme dhe nuk janë përfshirë në marrëveshje, gjë që do të thotë se tarifa kosovare do të mbetet e njëjtë (10%) për ato produkte (që kryesisht përfshijnë produktet: patate e papërpunuar, qumësht, produkte të qumështit dhe krem, kos, mollë, verë). 12 produkte shumë të rëndësishme për prodhimin bujqësor të Kosovës (8 produkte bujqësore dhe 4 produkte të përpunuara bujqësore) do të mbrohen për 10 vjet (fruta dhe perime, ujë, birrë dhe produkte të grurit). Gjithashtu sa i përket sektorit të shërbimeve, MSA, kosovarëve ju mundëson njohjen e kualifikimeve profesionale nga ana e BE-së dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve profesionale në tregun evropian, qoftë si të punësuar apo të vet-punësuar. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke ndërmarr një sërë veprimesh që synojnë të mbështesin bizneset për të shfrytëzuar mundësitë që ofron MSA. Me qëllim të informimit të bizneseve, MTI ka filluar me organizimin e takimeve informuese me bizneset në lidhje me elementet kryesore të MSA-së dhe kriteret e standardet të cilat kërkohen nga tregu i BE-së në mënyrë që produktet të mund të plasohen në këto tregje. Takimi i parë është mbajtur në Mars me bizneset e sektorit të bujqësisë dhe përpunimit të ushqimit ndërsa gjatë muajit prill dhe maj është planifikuar të mbulohen edhe 5 sektorë tjerë si: përpunimi i drurit, përpunimi i metaleve, tekstili, produktet ndërtimore si dhe teknologjia informative dhe e komunikimit. Për më tepër, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të vazhdoj informimin e bizneseve edhe përmes grupeve punuese që ekzistojnë për konsultime me bizneset si dhe MTI ka caktuar një orar për informimin e bizneseve për MSA-në: çdo të premte prej orës 14:00 deri në orën 15:00. MTI planifikon t’i mbështes bizneset për certifikimin e produkteve sipas standardeve evropiane e ndërkombëtare (përmes një skeme të veçantë për certifikim), ndërsa në bashkëpunim me donatorët ndërkombëtar planifikohet të shpërndahen edhe grante për përkrahje të drejtpërdrejtë bizneseve që synojnë rritjen e kapaciteteve të prodhimit dhe të eksportit. Përsa i përket legjislacionit është duke u hartuar ligji për shërbimet i cili do të krijon rregullatorin e sektorit të shërbimeve, një ndër sektorët më përfitues të MSA-së, pastaj është duke u amendamentuar legjislacioni për konformitet, produkte të ndërtimit, mbrojtje të konsumatorit, metrologji, akreditim, standardizim, shoqëri tregtare, etj. Gjithashtu do të vazhdoj transpozimi i direktivave dhe rregulloreve teknike që mbulojnë produktet industriale. Sa i përket fuqizimit të infrastrukturës së cilësisë si mekanizëm kyç i konformitetit të produkteve, MTI është duke punuar në fuqizimin e laboratorëve aktual të metrologjisë dhe planifikohet themelimi edhe i laboratorëve të tjerë, sipas kërkesës së bizneseve vendore. Në fushën e standardizimit, deri më tani janë adoptuar 8,646 standarde evropiane dhe ndërkombëtare, ndërsa planifikohet të vazhdohet me trendin e adoptimit të 1,500 standardeve për çdo vit. Për të përmirësuar më tej mbikëqyrjen e tregut vendor është themeluar Këshilli Kombëtar për Mbikëqyrje të Tregut dhe është zhvilluar baza e të dhënave që përmban informata për produktet e rrezikshme që qarkullojnë në treg konform RAPEX-it. Kjo do të mundëson shkëmbim të informatave me BE-në për produktet e rrezikshme që qarkullojnë në treg duke i mundësuar konsumatorit kosovar informim më të mirë. Për të forcuar subjektivitetin e institucioneve dhe shërbimeve që u ofrohen bizneseve jemi duke punuar në anëtarësimin në organizatat relevante evropiane dhe ndërkombëtare të infrastrukturës së cilësisë dhe në Organizatën Botërore të Tregtisë. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë edhe një herë ju uron të gjithë qytetarëve të Kosovës, hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe ju siguron përkrahje dhe partneritet të vazhdueshëm në zbatimin me sukses të kësaj marrëveshje historike për shtetin e Kosovës. Për t’u informuar më në detaje rreth MSA-së, ju ftojmë që të kontaktoni stafin e Departamentit të Tregtisë në kuadër të MTI-së.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors