Raundi i pestë i Grupit Negociator për Tregtinë në Shërbime në Marrëveshjen e Evropës Qendrore për Tregti të Lirë (CEFTA) është organizuar nga Ministria e Ekonomisë, në periudhën 23-24 nëntor 2015, në Kishinau të Moldavisë.
Në takim kanë marrë pjesë zyrtarë nga Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe përfaqësues të Sekretariatit të CEFTA-s.
Sipas agjendës, takimi i ministrave të Tregtisë së vendeve të CEFTA-s do të mbahet më 26 nëntor dhe do të paraprihet nga disa ngjarje si Java e CEFTA-s, e cila do të përfshijë një forum të bizneseve, si dhe takimi i Komitetit për Lehtësimin e Tregtisë dhe takimi i ekspertëve.
Me dt. 23 dhe 24 nëntor janë zhvilluar negociatat për liberalizimin e tregtisë në shërbime, ku u diskutuan ofertat për shërbimet e distribuimit, edukimin dhe shërbimet shëndetësore. Oferta do të rishikohet për të identifikuar çështjet për seancën e ardhshme të negociatave.
Po ashtu, u paraqit edhe raporti i grupit negociator për tregtinë në shërbime, propozime për zgjerimin e Protokollit mbi Tregtinë në Shërbime si dhe tendencat në sektorin e shërbimeve në nivel rajonal.
Aktivitetet e CEFTA-s për këtë vit përfundojnë më 26 nëntor, me takimin e ministrave të Tregtisë të vendeve anëtare të marrëveshjes.
Takimet e CEFTA-së u organizuan nga Moldavia, e cila mban presidencën e vitit 2015, në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA).