Në lidhje me raportimin tendencioz të portalit Gazetablic.com me titull “SKANDAL || Qysh Hykmete Bajrami i dërgon “Shefat” LDK-së, Ismet Beqirin e Haki Rugovën që ta përfaqësojnë Kosovën në OBT-së!”, i cili fatkeqësisht është publikuar edhe në disa portale të tjera pa u konfirmuar, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dëshiron të bëj këtë sqarim publik:
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë nuk ka dërguar në konferencën e OBT-së në Gjenevë asnjë drejtues të LDK-së dhe as nuk ka mandat të bëj një gjë të tillë. Një gazetar profesionist dhe jo tendencioz mund ta verifikoj një gjë të tillë fare lehtë, duke hulumtuar dokumentet zyrtare me të cilat autorizohen udhëtimet e zyrtarëve.
I vetmi përfaqësues i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që është autorizuar për udhëtimin në Gjenevë ka qenë Besart Dreshaj, këshilltar politik i Ministres. Ai nuk ka kryesuar kurrfarë delegacioni, pasi që Ministrja Bajrami nuk ka autorizuar asnjë person tjetër nga MTI-ja që të marrë pjesë në konferencën e OBT-së. Zyrtarët e tjerë nga Kosova që kanë marrë pjesë në këtë konferencë nuk e kanë përfaqësuar MTI-në.
I lusim mediat që para se të publikojnë artikuj të tillë diskreditues le të marrin mundin që të paktën të kontaktojnë institucionet e apostrofuara për t’i plasuar opinionit informatën e plotë për një ngjarje.