Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke i trajtuar me kujdes të shtuar kërkesat e adresuara tek institucionet e Kosovës, nga Shoqata e Prodhuesve dhe Përpunuesve të Qumështit. Për këtë arsye Ministria e Tregtisë dhe Industrisë tanimë ka themeluar Komisionin Ndërinstitucional, duke u bazuar në Ligjin për Masa Mbrojtëse në Importe, i cili ka për qëllim të vetëm rregullimin e tregut vendor të këtij sektori dhe mbrojtjen e tyre nga importi. Ky mekanizëm është duke u kryesuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe përfshin: Ministrinë e Financave, Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Doganat e Kosovës dhe Administratën Tatimore.
Më 25 qershor 2015, është mbajtur takimi i parë i Komisionit Ndërinstitucional dhe jemi duke siguruar të dhënat statistikore reale për importin e produkteve të qumështit me yndyrë bimore, me qëllim të shqyrtimit të mundësisë së vendosjes së ndonjë mase mbrojtëse.
Për më tepër Komisioni ka trajtuar edhe kërkesën sa u përket dyshimeve mbi kualitetin e produkteve të qumështit me përmbajte të yndyrës bimore. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar së këto produkte nuk janë të dëmshme dhe janë konform standardeve të BE-së. Megjithatë, institucionet qeveritare do të komunikojnë më autoritetet kompetente të vendeve prej nga vijnë këto produkte për të rikonfirmuar një gjë të tillë. Sa i përket kërkesës për lirime doganore, është kërkuar nga shoqatat që të dërgojnë listën më propozimet e tyre konkrete për materialet përpunuese bashkë me kodet përkatëse doganore, të cilat pastaj Komisioni do t’i trajtojë dhe adresojë më tutje.
MTI-ja, në bashkëveprim me institucionet relevante të Kosovës, është e përkushtuar që t’i përkrahë prodhuesit dhe përpunuesit vendorë të qumështit, dhe për këtë qëllim Komisioni është duke mbledhur vazhdimisht të dhëna shtesë me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje në kuptimin e mbrojtjes eventuale të këtij tregu nga importet.