Në Gjakove filloi punën Shkolla verore për Ndërmarrësi

Në ambientet e Qendrës Inovative në Gjakovë, ka filluar Shkolla Verore për Ndërmarrësi, e cila mbështetet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës dhe Agjencia KIESA, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI). Në kuadër të kësaj shkolle, një grup studentësh do të ndjekin leksione nga ekspertë të ndryshëm në fushë të ndërmarrësisë.

Fillimin e këtyre leksioneve e ka shpallur të hapur ministri i MTI-së, Bernard Nikaj, i cili në hapje ka thënë se kjo shkollë është një rast i mirë për të rinjtë kosovarë që duan t’i futen afarizmit dhe ndërmarrësisë.
“Kam kënaqësinë e veçantë që një shkollë e tillë po hapet për herë të parë në Gjakovë, dhe kjo realizohet në saje të përpjekjeve tona për disa vite me radhë të kemi një shkollë të tillë edhe në Kosovë”, ka thënë Nikaj.

Ministri Nikaj përgëzoi organizatorët për organizimin e akademisë “Mobile Application and Technology” dhe studentët, të cilët do të marrin pjesë në akademi, ku do të kenë mundësi të shprehin kreativitetin e tyre, njohuritë që kanë marrë gjatë studimeve dhe në të njëjtën kohë të marrin njohuri të reja për fushën që ata kanë zgjedhur.
“Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë ka identifikuar sektorin e teknologjisë informative dhe ofrimit të shërbimeve si një prej sektorëve me më së shumti potencial për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës dhe njëkohësisht ka hartuar projekte dhe plane konkrete për fuqizimin e mëtejmë të këtij sektori”, ka thënë Nikaj, në hapje të kësaj akademie verore.

Shpend Kumnova, asistent ekzekutiv në Qendrën Inovative të Gjakovës, ka bërë të ditur se njëzet studentët pjesëmarrës nga e tërë Kosova do të pajisen me certifikata. Kjo shkollë, ka shtuar më tej Kumnova, ka të bëjë me nxitjen e ideve të bizneseve të reja, ku ligjërues nga SHBA-ja dhe nga Kosova, e po ashtu ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, do të sjellin përvojat e tyre. Gjatë kohës sa mbahet kjo shkollë verore të gjithë studentët do të jenë të sistemuar në Gjakovë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors