Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Divizioni i Turizmit, të mërkurën ka organizuar tryezën me temën: “Sfidat e sektorit të turizmit”. Tryeza është mbajtur me përfaqësues të institucioneve relevante të Qeverisë së Kosovës, me përfaqësues të pushtetit lokal, me përfaqësues të bizneseve dhe të shoqërisë civile të Regjionit Qendror Turistik të Prishtinës.
Qëllimi i kësaj tryeze i referohej raportit të “Sector Profile” të përgatitur nga UNDP për MTI-në. Prandaj në këtë takim u referua dhe u debatua lidhur me trajtimin e aspekteve që kanë të bëjnë me ngritjen dhe zhvillimin e sektorit të turizmit përmes kontributdhënies dhe bashkëpunimit reciprok me të gjitha institucionet relevante, shoqatat turistike, komunitetin e biznesit turistik dhe organizatat tjera relevante.
Në këtë tryezë janë paraqitur përparësitë nga Ligji i ri i turizmit, sfidat e identifikuara nga studimi i kryer për këtë sektor, por edhe masat/politikat qeveritare dhe programet/projektet e donatorëve për adresimin e tyre.
Gjatë kësaj tryeze është bërë prezantimi i legjislacionit të turizmit: Ligji i ri i turizmit, përparësitë në zhvillimin e turizmit, Udhëzimet Administrative në turizëm U.A. Nr. 19/ 2013 për rregullimin dhe zhvillimin e sistemit të vlerësimit të akomodimit, U.A. Nr. 07/2014 për regjistrin e kategorizimeve, regjistrimin vullnetar dhe revokimin e regjistrimit, U.A. për katalogun e akomodimeve.