Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj mirëpriti në një takim njoftues Ambasadorin e ri italian, Andreas Ferrarese. Zv.ministri falënderoi Ambasadorin për përkrahjen që Qeveria Italiane po i jep Kosovës në promovimin e investimeve dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik në mes Kosovës dhe Italisë. U diskutua po ashtu për rastin e finalizimit të transferimit të aeroportit të Gjakovës nga Qeveria Italiane tek autoritetet e Qeverisë së Kosovës, si shenjë e bashkëpunimit të plotë në mes të këtyre dy shteteve.
Në anën tjetër Ambasadori Ferrarese shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm dhe qëndrimin e Qeverisë së Italisë për mbështetjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës. “Ne shpresojmë që përkundër bashkëpunimit ekonomik të mirë që kemi, gjatë mandatit tim numri i investitorëve nga Italia në Kosovë do të vazhdojë të rritet”, tha Ferrarese.
Italia dhe Kosova kanë marrëdhënie të mira ekonomike dhe tregtare. Italia është partneri më i fuqishëm i Kosovës për eksporte. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2013 Kosova ka eksportuar në Itali mallra me vlerë prej rreth 40 milionë euro, më shumë eksporte se në çdo vend tjetër. Kosova paraqet një vend shumë të favorshëm për investime të huaja dhe se ka hapësirë për transfer të përvojave, teknologjive dhe praktikave ndërmjet kompanive italiane dhe kosovare.