Ministrja Bajrami po merr pjesë në konferencën “Idetë e Mençura dhe Koncepti i Ri për Rigjenerim Ekonomik të Evropës“ në Dubrovnik të Kroacisë

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, po merr pjesë në konferencën “Idetë e Mençura dhe Koncepti i Ri për Rigjenerim Ekonomik të Evropës“ që po i zhvillon punimet në Dubrovnik të Kroacisë. Ministrja Bajrami ishte paneliste në sesionin e diskutimeve rreth politikave të zhvillimit të sektorit industrial në vendet e Evropës Juglindore.

Në ligjëratën e saj, ministrja Bajrami foli pak për historikun e zhvillimit industrial në Kosovë; për sektorët kryesorë të cilët kanë qenë bartës të ekonomisë së vendit. Ajo u ndal edhe tek periudha e okupimit e viteve 90-ta si pasojë e të cilës industria dhe zhvillimi ekonomik i vendit tonë kishte pësuar shkatërrime të mëdha. Më tej, znj. Bajrami foli edhe për periudhën e pasluftës dhe përpjekjet e institucioneve të Kosovës për rigjenerimin e ekonomisë dhe sektorëve të ndryshëm strategjik të ekonomisë së Kosovës. Ministrja Bajrami, ndër të tjera, theksoi se përkundër sfidave të shumta, Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në konsolidimin e saj ekonomik. Ajo foli rreth politikave që qeveria e Republikës së Kosovës është duke i ndërmarrë, me qëllim të nxitjes së sektorëve të prodhimit, por edhe të shërbimeve për të cilat vendi ynë ka potencial të lartë. Për të ndërtuar një ambient të favorshëm për zhvillimin e sektorëve kryesorë industrial, ministrja Bajrami vuri theksin tek ndërtimi i bazës legale në të cilin aspekt, siç tha ajo, janë shënuar rezultate shumë të mira të cilat do të ndikojnë për të mirë në stimulimin e rritjes së prodhimit dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Ajo tha po ashtu nënvizoi se për krijimin e politikave në të mirë të zhvillimit të biznesit, qeveria e Kosovës ka krijuar një platformë të mirë të dialogut me komunitetin e biznesit përmes Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik. Ministrja përmendi edhe Marrëveshjen për Stabilizim Asociim me BE-në, investimet në infrastrukturë, ndërtimin e zonave industriale, etj., si zhvillime të cilat do ta favorizojnë rritjen ekonomike të mëtutjeshme të Kosovës. Ministrja Bajrami u takua edhe me Ministren e Administratës Publike të Kroacisë, Dubravka Alibegoviq, me të cilën diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në mes Kosovës dhe Kroacisë. Në konferencë po marrin pjesë ministra dhe udhëheqës të lartë shtetërorë si dhe pjesëtarë të komunitetit akademik nga rajoni dhe Evropa.

Post Image
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors