Ministrja Bajrami flet për investimet e huaja direkte dhe krijimin e vendeve të punës në “Forumin e të Rinjve të Ballkanit 2016”

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në “Forumin e të Rinjve të Ballkanit 2016”, i cili u mbajt në Prishtinë. Në fjalën e saj, ministrja Bajrami foli për angazhimin e Qeverisë së Kosovës në fuqizimin e sektorit privat dhe rritjes së konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve kosovare, si gjeneruesit kryesorë të krijimit të vendeve të punës në vendin tonë.

Ajo tha se Qeveria e Republikës së Kosovës po punon pa ndërprerë në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes, meqë kjo është mënyra më e mirë e tërheqjes së sa më shumë investimeve të huaja në vendin tonë. Në këtë drejtim, Bajrami theksoi se janë bërë hapa të rëndësishëm të cilët po ndikojnë dita-ditës në shtimin e aktivitetit ekonomik të ndërmarrjeve kosovare dhe atyre të huaja. Qeveria ka arritur të përmirësojë shumë komponenta që kanë të bëjnë me nxitjen e aktivitetit prodhues dhe mënjanimit të barrierave administrative me të cilat janë ballafaquar bizneset në të kaluarën, nënvizoi ministrja. Ajo shtoi se përmirësimi i politikave fiskale, rritja e efikasitetit të administratës publike, përmirësimi i infrastrukturës për punë të bizneseve, përmirësimi i qasjes në financa të kompanive dhe shumë veprime të tjera, kanë bërë që sot të flasim për një ambient shumë më të favorshëm për të bërit biznes në vendin tonë. Ne po punojmë poashtu në mënyrë intensive në financimin e krijimit të zonave dhe parqeve industriale nëpër komunat e Kosovës me qëllim që t’u krijojmë kushte të mira pune bizneseve kosovare dhe investitorëve të huaj që po vijnë në Kosovë, tha ajo. Poashtu, ministrja përmendi edhe Marrëveshjen për Stabilizim Asociim me BE-në e cila, përveç faktit se ua mundëson produkteve kosovare të depërtojnë në BE pa barriera, e integron Kosovën në një hapësirë afariste atraktive për investitorët e huaj, gjë e cila po vërehet çdo ditë e më shumë, pohoi ajo. Puna e Qeverisë së Kosovës në bashkëpunim me komunitetin e biznesit dhe shoqërinë civile në përmirësimin e mjedisit afarist në vend është e vazhdueshme, dhe ne si qeveri e vendit jemi plotësisht të hapur për bashkëpunim në mënyrë që të realizojmë atë që është qëllim i përbashkët i yni – hapjen e vendeve të punës dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës, nënvizoi ministrja Bajrami.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors