Sot në Prishtinë u mbajt takimi i Grupit Punues sektorial për koordinimin e donatorëve në kuadër të grupit punues sektorial për Ekonomi, Tregti dhe Industri.
Në fjalën hyrëse, ministrja Hykmete Bajrami, falënderoi komunitetin e donatorëve për ndihmën e tyre të vazhdueshme të ofruar për Qeverinë e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në realizimin e shumë projekteve të rëndësishme të cilat po ndikojnë pozitivisht në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për të bërit biznes dhe zhvillimin e ndërmarrjeve kosovare. Znj. Bajrami shtoi se procesi i integrimit evropian, përbën një nga prioritetet kryesore të vendit tonë, dhe pavarësisht vështirësive më të cilat po ballafaqohet ky Union aktualisht, në besojmë në fuqinë e BE-së dhe forcën e saj transformuese, tha ajo. Prandaj, përmbushja e kritereve të parapara dhe zbatimi i tyre nga institucionet e vendit janë dhe do të mbeten udhërrëfyesi kryesor i Kosovës, sepse ne besojmë fuqishëm se këto reforma do të konvertohen në konsolidim të institucioneve tona, në zhvillim ekonomik dhe në rritje të mirëqenies për qytetarët e vendit tonë, shtoi ajo. Në këtë kuadër, ministrja Bajrami u shpreh se “mbështetja e donatorëve, përfshirë këtu mbështetjen financiare dhe ekspertizën, janë më së të nevojshme, në mënyrë që t’i avancojmë më tej politikat tona tregtare dhe industriale; të fuqizojmë bizneset e vogla dhe të mesme; të përmirësojmë legjislacionin; të përmirësojmë infrastrukturën për punë të bizneseve si dhe infrastrukturën e cilësisë; të mundësojmë qarkullimin e lirë të mallrave dhe shërbimeve dhe të krijojmë në ambient më të mirë për të bërë biznes.” Ajo vuri në pah se hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit paraqet një sukses të konsiderueshëm për Kosovën duke hapur mundësi të shumta për bizneset dhe ekonominë tonë. Dhe për të përfituar sa më shumë nga kjo marrëveshje ne jemi të angazhuar në disa drejtime sepse e dimë se bizneset tona kanë nevojë për mbështetje që ato të bëhen më konkurrente, pohoi ministrja, e cila shtoi se jemi duke punuar në zbatimin e Planit për Implementimin e MSA-së dhe së bashku me donatorët po i informojmë bizneset rreth rregullave dhe modaliteteve për të depërtuar në tregjet e BE-së. Me ndihmën e donatorëve (USAID, KFW, ADA, SDC) kemi arritur të lansojmë edhe Fondin e Garantimit të Kredive i cili adreson një sfidë të kahershme të NVM-ve siç është qasja në financa. Ky Fond do të ketë rreth 18 milionë euro në dispozicion, nënvizoi ministrja. Më tej, ministrja u zotua se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të vazhdojë të punojë më prioritet në implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, dhe reformave që e përcjellim zbatimin e suksesshëm të saj. ”Ne do ta trajtojmë me prioritet përmirësimin e ambientit të të bërit biznes; fuqizimin e infrastrukturës së cilësisë; zhvillimin e turizmit vendor; mbrojtjen e konsumatorit; përmirësimin e mbikëqyrjes së tregut – dhe në realizimin e këtyre objektivave ne falënderojmë donatorët për angazhimin e tyre aktual dhe presim mbështetjen e mëtejme edhe në periudhën në vazhdim” nënvizoi ajo. Ajo bëri të ditur se, janë dy projekte nga Bashkimi Evropian që kanë filluar të implementohen së fundmi, projekti “Asistencë për Implementimin Marrëveshjes për Stabilizim Asociim – Direktiva e Shërbimeve të BE-së” dhe projekti tjetër “Rritja e Konkurrueshmërisë dhe Promovimi i Eksportit”. Këto dy projekte, tha jo, vijnë në kohë të duhur dhe do të na ndihmojë në rritjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve, krijimin e vendeve të punës si dhe përafrimin e legjislacionit të Kosovës në fushën e shërbimeve me atë të BE-së duke kontribuar që ne të përfitojmë nga Marrëveshja për Stabilizim Asociim. Ministrja falënderoi donatorët e shumtë si: Bashkimin Evropian, USAID-in, SDC-në, Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës, GIZ-in, UNDP-në, SIDA-n, Agjencinë Japoneze për Zhvillim, etj., për shumë projekte tjera të cilat janë realizuar dhe për ato që janë në implementim e sipër dhe shprehu zotimin e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim të plotë me partnerët ndërkombëtarë me qëllim të zhvillimit ekonomik të vendit dhe krijimit të vendeve të punës.