Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, e cila u mbajt sot në Prishtinë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës e Republikës së Shqipërisë nënshkruan marrëveshjen mbi njohjen e ndërsjellë të certifikatës së testim / kalibrimit të tahografit të mjeteve rrugore.
Me këtë rast, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, deklaroi se “Në vazhdën e implementimit të marrëveshjes së arritur ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim, Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë, e cila qëllim primar ka nxitjen dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë përmes eliminimit të barrierave jo-tarifore dhe atyre teknike tregtare, ne sot bëjmë një hap konkret në eliminimin e një barriere tregtare të paraqitur në fushën e transportit të mallrave dhe njerëzve: njohjen e ndërsjellë të çertifikatës së testim/kalibrimit të tahografit të mjeteve rrugore.” Ministrja Bajrami, më tej vazhdoi se “Kjo marrëveshje i ndihmon shumë bashkëpunimit në fushën e transportit rrugor të udhëtarëve dhe të mallrave duke plotësuar një parakusht të rëndësishëm në procesin integrues në Bashkimin Evropian sa i përket lëvizjes e lirë të mallrave, shërbimeve dhe të njerëzve dhe si e tillë është gjithashtu në harmoni të plotë me masat e lehtësimit të tregtisë të iniciuara tani edhe nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.” Në emër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, znj. Bajrami shprehu mirënjohjen e saj të thellë për Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për bashkëpunimin e treguar dhe vullnetin e mirë politik në zgjidhjen e një sërë çështjesh tregtare vitin e kaluar, dhe shprehu besimin se ky bashkëpunim vetëm do të forcohet, sepse është rruga e vetme e arritjes së synimit tonë të përbashkët – unifikimin e tregut të dy vendeve. “Zhvillimet pozitive të deritanishme janë dëshmi që konfirmon se vendet tona po ndërtojnë një kualitet të ri të marrëdhënieve ndërshtetërore që do të sjellë përfitime të shumta për të dyja ekonomitë dhe për prosperitetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë,” konkludoi ministrja Bajrami.