Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti sot në takim një delegacion të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).
Pjesë e delegacionit ishin Zaidoon Khouri, Bradley Cunningham dhe Alban Zogaj. Në takim, u diskutua rreth kontekstit zhvillimor ekonomik dhe në veçanti rreth sfidave dhe kufizimeve kryesore ekonomike me të cilat përballet ekonomia e vendit si dhe gjetjes së rrugëve për adresimin e sfidave në të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit tonë. Ministrja Bajrami i njoftoi musafirët me procesin e reformave të Qeverisë së vendit të cilat po japin efekte pozitive në rritjen e investimeve të huaja direkte dhe krijimin e vendeve të punës. Ajo poashtu foli për projektet në të cilat po punon Ministria e Tregtisë dhe Industrisë si dhe planet për zgjerimin e aktiviteteve që kanë të bëjnë me forcimin e ndërmarrjeve kosovare. Palët u pajtuan të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë në periudhën vijuese me qëllim të thellimit të mëtjemë të partneritetit. Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), është agjenci e pavarur amerikane e asistencës së jashtme, e themeluar nga Kongresi amerikan në vitin 2004 e cila ofron mbështetje në formë grantesh për shumë shtete në tranzicion. Kosova së fundmi është kualifikuar për të pasur qasje në asistencën e ofruar nga kjo agjenci falë përmirësimit të performansës qeverisëse në shumë indikatorë të rëndësishëm.