Gjatë kësaj jave në Londër u mbajt konferenca e vjetore e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ku mori pjesë delegacioni i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga ministri i Financave z. Avdullah Hoti.
Pjesë e delegacionit ishte edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, e cila në kuadër të sesionit për investime në shtetet e Ballkanit Perëndimor prezantoi mundësitë për investime në Republikën e Kosovës. Delegacioni mbajti takime intenzive me menaxhmentin e lartë të BERZH-it dhe me përfaqësues të institucioneve tjera financiare me qëllim shpalosjen e prioriteteve të qeverisë sa u përket investimeve kapitale. Në takimin me Presidentin e BERZH-it, z. Suma Chakrabarti, të cilit iu besua edhe një mandat në këtë konferencë, ai vlerësoi si mjaft pozitiv bashkëpunimin gjithnjë në rritje me Republikën e Kosovës. Ai gjithashtu uroi delegacionin për nënshkrimin dhe hyrjen në fuqi të MSA-së si dhe për marrjen e rekomandimit pozitiv për heqjen e vizave, duke vlerësuar këto si hapa që do të krijojnë një ambient të ri investues, gjë që lehtëson edhe mbështetjen e BERZH-it. Në takimet tjera me drejtorët përkatës të BERZH-it u diskutua mbështetja dhe financimi i projekteve kapitale të qeverisë, në vecanti projektet infrastrukturore për zona ekonomike dhe ujitje, projektet në sektorin e transportit, si dhe mbështetja e skemës për garantimin e kredive. Gjithashtu, delegacioni u takua edhe me ekipin e BERZH për mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, me të cilin pritet të arrihet bashkëpunim për t’i ndihmuar bizneset kosovare prodhuese të pajisen me certifikata të standardeve për produktet e tyre. Delegacioni kosovar u takua edhe me institucione tjera financiare që ishin pjesëmarrëse në konference, ku ndër tjera mund të vecohet Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), Fondit për Zhvillim të OPEC (OFID), dhe Fondi i Kuwait-it, me të cilat u dakordua që të rritet niveli i bashkëpunimit në të ardhmen. Si pjesë e vecantë e konferencës ishte edhe sesioni për investitorë për shtetet e Ballkanit Perëndimor ku pjesë e panelit diskutues në këtë sesion ishte ministrja Bajrami, e cila në fjalimin e saj prezantoi mundësitë për investime të huaja në Republikën e Kosovës. Ndër tjera, ministrja Bajrami theksoi si përparësi koston e lirë të trasportit, stabilitetin energjetik i cili pritet të arrihet përmes investimeve në Kosovën e Re, liberalizimin e importit për makineritë dhe linjat prodhuese, lehtësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përmes Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive, strukturën e re të popullsisë e cila ka shkathtësi për teknologji të reja. Ministrja Bajrami gjithashtu theksoi se hyrja në fuqi e Marreveshjes për Stabilizim Asociim me Bashkimin Evropian, e cila i siguron prodhuesve të Kosovës qasje në një treg me rreth 500 milion banorë e bën Kosovën vend mjaft atraktiv për investime të huaja direkte. Gjatë sesionit të pytjeve dhe përgjigjjeve, ministrja Bajrami theksoi se Kosova synon të vazhdojë me procesin e reformave sa i përket përkrahjes qeveritare për investitorët e huaj, përmes: shkrurtimit të procedurave për regjistrimin e biznesve dhe eleminimit të pagesave për regjistrimin e bizneseve, reduktimin e lejeve/licencave; krijimit të mekanizmave për ekzekutimin kontratave; ofrimit të hapësirave/infrastrukturës për punë (parqe biznesi, inkubatorë biznesi, zona ekonomike), përmirësimit të qasjes në financa, respektivisht formimi i Fondit për Garanci Kreditore, që mbulon deri në 50% të rrezikut kreditor.