Më datën 5 dhe 6 prill në Podgoricë, u organizua raundi i gjashtë i negociatave për tregtinë në shërbime në sektorët e transportit, shërbimeve financiare dhe shërbimet audio-vizuale.
Gjatë takimit dyditor u prezantuan ofertat për këta sektorë nga të gjitha vendet e CEFTA-s, ku sektori i shërbimeve financiare ishte pothuajse i rregulluar dhe i hapur për ofruesit e huaj të shërbimeve, ndërsa sektori i transportit rrugor, hekurudhor dhe ajror ishte në proces të liberalizimit për qytetarët e huaj, me theks të veçantë transporti rrugor dhe kryesisht fokusi i diskutimit ishte tek eliminimi i barrierave mes vendeve të CEFTA-s mes Kosovës dhe Serbisë. Do të vazhdohet në diskutimin e kësaj çështjeje në takimet e radhës që do të organizohen gjatë këtij viti në Podgorice. Dhe në fund, u diskutuan shërbimet audio-vizuale, ku në përgjithësi ishte një sektor i mbyllur për shkak të mungesës së legjislacionit që e rregullon këtë fushë, prandaj u vendos nga pjesëmarrësit e vendeve të CEFTA-s që të diskutohet edhe njëherë për këto shërbime në takimin e radhës, ku palët u zotuan se do të vijnë me oferta. Qëllimi i këtyre negociatave është që të mos ketë barriera administrative dhe ligjore për ofruesit e huaj të shërbimeve, me theks të posaçëm për profesionistët dhe ekspertët në cilindo vend të CEFTA-s. Delegacioni kosovar ishte në përbërje të zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Bankës Qendrore të Kosovës.