Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) kanë mbështetur organizimin e takimeve në mes bizneseve nga Kosova dhe bizneseve nga diaspora shqiptare në Berlin.
Kjo është një mundësi e mirë e bizneseve kosovare për të lidhur kontrata dhe për të bashkëpunuar me biznese nga diaspora shqiptare në Berlin të Gjermanisë. Njësoj sikur në Vjenë takimet në mes të bizneseve janë zhvilluar ne formatin B2B. Kjo po arrihet në saje të mbështetjes edhe te Ministrisë së Diasporës, Odës Amerikane në Kosovë dhe DEED-UNDP&IOM. Gjatë këtyre takimeve, bizneset patën rastin të njoftohen për mundësitë e investimeve si dhe për mbështetjen e sektorit privat në Kosovë nga Besian Mustafa – Drejtor i përgjithshëm i KIESA-s. Në panel ishin të pranishëm ministri i Diasporës Valon Murati, ambasadori i Kosovës në Berlin Skënder Xhakaliu, përfaqësues të Odës së Industrisë dhe Tregtisë IHK në Berlin, OEAK-së si dhe përfaqësues nga DEED –UNDP&IOM.