6 Ministrja Bajrami mori pjesë në lansimin e projektit “Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor brenda Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, të organizuar nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës dhe USAID, që u mbajt sot në Prishtinë.
Ministrja, Hykmete Bajrami, në fjalën e saj shprehu kënaqësinë e saj për zhvillimin e këtij aktiviteti. Ajo fillimisht u shpreh se procesi buxhetor është i një rëndësie të madhe, sepse buxheti në formën e tij përfundimtare si ligj i miratuar në Kuvend dhe në bazë të cilit funksionon puna e Qeverisë, prek në mënyrë të drejtpërdrejt jetën e secilit qytetar të vendit. Në këtë kontekst, ministrja Bajrami potencoi se është e rëndësishme që procesi buxhetor të jetë transparent, i përgjegjshëm, duke e marrë në konsideratë kontekstin e përgjithshëm socio-ekonomik të vendit. Ministrja Bajrami nënvizoi se njëra nga këta komponentë është edhe Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor, implementimi i të cilit në vende të ndryshme ka dhënë rezultate të rëndësishme, duke kontribuar në arritjen e synimit bazë për ndërtimin e një shoqërie demokratike me përfshirje të barabartë të burrave dhe grave. “Është me rëndësi të theksohet se Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor nuk kërkon buxhet shtesë për t’u implementuar, por ai paraqet një praktikë të mirë të procesit të planifikimit buxhetor, ku aspekti gjinor trajtohet në mënyrë të barabartë, duke përmbushur një sërë standardesh të cilat i kërkon ndërtimi i një shoqërie të emancipuar dhe demokratike që nuk lejon grupe të diskriminuara brenda saj”, u shpreh ministrja Bajrami. Ajo, ndër të tjera, përmendi se MTI-ja e mbështet pa rezervë implementimin e kësaj praktike të mirë të buxhetimit të përgjegjshëm, i cili nuk njeh diskriminim në aspektin gjinor. Ministrja Bajrami, po ashtu tha se “Kosova ka krijuar kornizën e nevojshme ligjore, e cila parasheh një buxhetim të përgjegjshëm edhe në aspektin gjinor dhe se një nga këto dokumente është edhe Ligji i ri për Barazi Gjinore, i cili parasheh barazi të plotë në mes grave dhe burrave”, njoftoi ajo. Ministrja shprehu kënaqësinë e saj se Ministrinë të cilën ajo e drejton, së bashku me MMPH-në, do të punojnë në realizimin e kësaj objektive të rëndësishme dhe i inkurajoi të gjitha organizatat tjera buxhetore, si në nivelin qendror dhe në nivelin lokal, që komponentën gjinore ta trajtojnë me seriozitet në procesin e buxhetimit, në të gjitha fazat, që nga diskutimi publik e deri tek miratimi, ekzekutimi dhe raportimi. Znj. Bajrami shtoi se, buxhetimi i përgjegjshëm gjinor do të kontribuojë që ekzekutimi i buxhetit nga institucionet publike të jetë më efektiv, më transparent dhe llogaridhënës. “Në këtë drejtim, është i rëndësishëm bashkëpunimi i ngushtë edhe me organizatat e shoqërisë civile të cilat përfaqësojnë gratë, sepse ato mund të japin kontribut të çmueshëm në shpalosjen e pikëpamjeve të grave rreth buxhetimit të barabartë dhe të përgjegjshëm, i cili merr parasysh kërkesat e tyre”, sugjeroi ministrja Bajrami. Në fund, ministrja Bajrami tha se realizmi i një projekti të tillë, të rëndësishëm është në linjë të plotë me orientimet dhe përkushtimin tonë për një qeverisje të përgjegjshme, demokratike dhe transparente. Ministrja, në mbyllje, potencoi se para pak ditësh MTI është shpallur nga organizata KDI njëra nga Ministritë më transparente sa i përket prokurimit publik