Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, sot mori pjesë në konferencën e organizuar në Prishtinë, nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës. Në këtë konferencë u prezantuan rezultatet e anketës “Perceptimi i konsumatorëve për prodhimet vendore.”
Ministrja Bajrami mirëpriti rezultatet e këtij hulumtimi dhe shprehu përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të punuar ngushtë me prodhuesit kosovarë, me qëllim të fuqizimit të prodhimeve vendore. Zonja Bajrami theksoi se qeveria e vendit gjatë vitit të shkuar ka ndërmarrë një sërë politikash favorizuese për nxitjen e prodhimit vendor. Këto politika po vazhdojnë edhe më tutje dhe ne do të bëjmë përpjekje të pareshtura, tha ministrja, që përmes politikave nxitëse të ndikojmë që produktet dhe shërbimet vendore të pozicionohen më mirë, jo vetëm në tregun kosovar, por edhe në tregjet rajonale dhe ato ndërkombëtare.
“Ne si institucione shtetërore, së bashku me komunitetin e biznesit duhet t’ua bëjmë të qartë qytetarëve se konsumi i prodhimeve vendore është faktor i cili ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit”, tha me këtë rast ministrja Bajrami.