Ministrja Hykmete Bajrami priti sot në takim Bordin e Drejtorëve të Shoqatës së Bankave të Kosovës. Ministrja Bajrami në fillim të takimit theksoi se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është e përkushtuar për bashkëpunim me sektorin bankar në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit në vend. Ministrja Bajrami po ashtu me theks të veçantë përmendi nevojën e një komunikimi të drejtëpërdrejt mes MTI-së dhe Shoqatës së Bankave për të gjitha sfidat që dalin gjatë punës në sfera të ndryshme të këtij sektori.
Kryetari i Shoqatës së Bankave të Kosovës z. Petrit Balija shprehu gatishmërinë për bashkpunim dhe ngriti disa çështje lidhur me regjistrin elektronik të pengut. Ai potencoi rëndësinë e madhe që ka për bankat ky regjistër dhe kërkoi që politikat e MTI-së sa i përket këtij regjistri të jenë në përputhje me nevojat e bankave dhe klientëve të tyre.
Ministrja premtoi që po punohet që sa më shpejt të zgjidhen të gjitha çështjet për të cilat Shoqata shprehu shqetësim dhe të dyja palët u pajtuan që një bashkëpunim i tillë mes MTI-së dhe Shoqatës së Bankave të vazhdojë në mënyrë që sistemi bankar të funksionojë pa pengesa duke qenë gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve.