Ministrja Hykmete Bajrami foli për Marrëveshjen për Stabilizim Asociim (MSA)

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, mori pjesë në Tryezën me temë “Marrëveshja e Stabilizim Asociimit – efektet dhe sa jemi të përgatitur”, të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).

Në fjalën e saj, Ministrja Bajrami tha se përmes MSA-së, bizneseve kosovare do tʹu krijohet qasje në një treg prej 500 milionë konsumatorëve në 28 shtete anëtare të BE‐së. Bizneset kosovare, vazhdoi ministrja, do të kenë përfitime të shumanshme nga kjo marrëveshje, ku përfshihen ulja e barrierave tregtare dhe krijimi i një mjedisi më të qëndrueshëm dhe transparent sa i përket tregtisë dhe investimeve. Ministrja nënvizoi se “Për kompanitë kosovare do të jetë më e lehtë dhe më e lirë që t’i eksportojnë produktet e tyre në tregjet partnere. Përveç kësaj, përfitimet nga MSA‐ja shkojnë përtej tregtisë, sepse MSA ka ndërlidhje të drejtpërdrejt edhe me vazhdimin e reformave politike, ekonomike dhe tregtare në vend.” Në këtë aspekt, ministrja Bajrami shtoi se Kosova do të bëjë përparime të mëdha edhe në fushat si: pronësia intelektuale, prokurimi publik, politika e konkurrencës, tregtia dhe zhvillimi i qëndrueshëm.  

Më tej, znj. Bajrami u shpreh se “Marrëveshja me Bashkimin Evropian është mjaft asimetrike, në favor të Kosovës, për shkak se të gjitha produktet e vendit tonë janë liruar menjëherë nga taksat doganore, me përjashtim të mishit të viçit, sheqerit dhe verës, të cilat janë objekt i kufizimeve sasiore.” Nga ana tjetër, Kosova në mënyrë graduale do t’i heq taksat doganore sipas periudhave të caktuara kalimtare derisa ekonomia e vendit ta zë hapin me konkurrentët e rinj që vijnë nga tregu i BE‐së, tha ministrja. Kosova ka lidhur marrëveshje për 99,7% të produkteve kosovare, kështu që vetëm 0,3% e produkteve nuk janë pjesë e kësaj marrëveshjeje, nënvizoi ministrja Bajrami.

Përveç hapjes së tregut të Kosovës me atë të BE‐së, efekte pozitive për bizneset kosovare do të ketë edhe në aspektin e transferit të teknologjisë, ekspertizës si dhe shkathtësive tjera të cilat do të absorbohen nga kompanitë vendore përmes ndërveprimit me një treg të zhvilluar sikurse ai i BE-së, potencoi znj. Bajrami, duke shtuar se “pjesë e përfitimeve të rëndësishme të Kosovës, përveç atyre të lartpërmendura, do të jenë edhe ndihma financiare dhe teknike nga BE-ja, mbështetje e cila do të luaj rol të rëndësishëm në nxitjen e zbatimit të reformave që kanë të bëjnë me arsimin, trajnimet, shërbimet bankare dhe tregun financiar, promovimin e NVM‐ve, stabilitetin makro ekonomik, etj.

Ministrja Bajrami konkludoi se MSA do t’i sjellë dobi ekonomisë dhe bizneseve të Kosovës, sepse do t’i vë në lëvizje të gjithë mekanizmat institucional dhe privat për të punuar më shumë në drejtim të rritjes së cilësisë dhe aftësive konkurruese të bizneseve të Kosovës në tregun e integruar evropian.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors