Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në konferencën vjetore “Investimet e Huaja Direkte dhe Zhvillimi Ekonomik i Kosovës”, të organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropianë. Në konferencë ishin të pranishëm ministra të ministrive relevante, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe investitorë potencialë.
Në fjalimin e saj, ministrja Hykmete Bajrami theksoi se ky diskutim është qasje e duhur, që tregon se angazhimet rreth zhvillimit ekonomik, rritjes së punësimit dhe demokratizimit të vendit, nuk janë ekskluzivitet i institucioneve shtetërore, por i të gjitha kategorive përfaqësuese të shoqërisë. Ajo më tej paraqiti vizionin e Qeverisë dhe ministrisë që ajo drejton, për zhvillim ekonomik si dhe për krijimin e vendeve të reja të punës. “Duhet punuar që kapitalin njerëzor, siç është popullsia e re në Kosovë, në vend se ta kemi resurs të fjetur, ta shndërrojmë në faktor nxitës për tërheqjen e IHD-ve. Rinia kosovare flet gjuhë të huaja, ka shkathtësi për teknologji të reja”, potencoi ministrja Bajrami, duke shtuar se po bëhet më shumë tashmë rreth edukimit, përkatësisht ngritjes së cilësisë së arsimit në Kosovë.
“Qeveria pjesën më të madhe të energjisë e ka fokusuar në ekonomi, sepse rritja ekonomike na ndihmon t’i avancojmë më lehtë edhe proceset tjera që kanë të bëjnë me zhvillimin e gjithëmbarshëm si shoqëri demokratike që aspiron integrim në BE”, theksoi ministrja Bajrami.
Ajo shtoi se ndërveprimi i mirë i grupeve: komuniteti i biznesit, shoqëria civile, institucionet akademike kanë ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin e ‘rrethinës së favorshme të të bërit biznes’, dhe tërheqjes së IHD-ve.
Po ashtu, znj. Bajrami bëri të ditur se paralel me zhvillimin ekonomik janë edhe fushat e tjera, si: sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, përmirësimi i infrastrukturës fizike, rritja e inovacionit, si dhe rritja i nivelit të arsimit.
Ndërkaq, sa i përket liberalizimit të tregtisë, ministrja Bajrami pohoi se Kosova është pjesë e tregjeve të mëdha: MSA, CEFTA, Programi i Sistemit të Gjeneralizuar të Preferencave me ShBA-të, Japoninë dhe Norvegjinë, si dhe Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me Turqinë, e cila pritet të ratifikohet. “Po ashtu kemi marrëveshjeve bilaterale me një numër të shteteve për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve dhe shmangien e tatimit të dyfishtë. Këto marrëveshje sigurojnë: Mbrojtje dhe Siguri, Transfer të Lirë të Fondeve, Riatdhesim të Lirë të Profitit dhe Dividendës, Mbrojtje nga Aplikimi Retroaktiv i Ligjeve dhe Mbrojtje nga Shpronësimi”, bëri të ditur ministrja Bajrami.
Më tej, ministrja ritheksoi se kemi rezultate sa i përket përkrahjes qeveritare për investitorët e huaj dhe mënjanimit të barrierave administrative, si: regjistrimi i lehtë dhe i shpejtë i biznesit (për më pak se dy ditë dhe pa pagesë); reduktimi i lejeve/licencave; ekzekutimi i kontratave; ofrimi i hapësirave/infrastrukturës për punë (parqe biznesi, inkubatorë biznesi, zona ekonomike), përmirësimi i qasjes në financa, respektivisht formimi i Fondit për Garanci Kreditore, që mbulon deri në 50 të rrezikut kreditor; eliminimi i barrierave për investitorët e huaj, etj. Njëkohësisht, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve Kosovare po punon me ATK-në dhe Doganën e Kosovës rreth funksionalizimit të sistemit të integruar për regjistrimin e bizneseve, përkatësisht unifikimin disa numrave në një ID të vetme.
Ministrja Bajrami, në fund të fjalimit të saj falënderoi edhe donatorët dhe partnerët për asistencën e çmueshme në këto procese.