Ministrat Bajrami dhe Abrashi pritën drejtoreshën e Bankës Botërore për Evropën Juglindore, znj. Ellen Goldstein

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Arban Abrashi, patën sot një takim të përbashkët me drejtoreshën e Bankës Botërore për Evropë Juglindore znj. Ellen Goldstein.

Ministrja Bajrami e informoi znj. Goldstein rreth ecurisë së reformave që po i ndërmerr Qeveria e Kosovës sa i përket zhvillimit ekonomik në vendin tonë. Ajo u ndal konkretisht te disa nga punët prioritare që kanë të bëjnë me përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në vend, përmirësimin e infrastrukturës fizike për të lehtësuar aktivitetin e bizneseve, ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe të infrastrukturës së cilësisë, mbështetjen e kompanive kosovare në rritjen e aftësisë konkurruese, e cila evidentohet si shumë e nevojshme sidomos tash pas nënshkrimit të MSA-së, etj.

Ministri Abrashi, në fjalimin e tij, shpjegoi projektet në të cilat po punon Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, duke u fokusuar veçanërisht tek ato të cilat kanë të bëjnë me rritjen e punësimit, sikurse projekti për subvencionimin e pagave, si dhe projektet tjera trajnuese që kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve njerëzore në vend, si parakusht i rëndësishëm për përmirësimin e ambientit të të bërit biznes.

Znj. Goldstein theksoi se Banka Botërore është partner serioz i Kosovës, dhe shtoi se projektet që kanë të bëjnë me zhvillimin e sektorit privat dhe krijimin e vendeve të punës janë prioritet i Bankës Botërore në kuadër të programit të saj për Kosovën. Bashkëbiseduesit u pajtuan që komunikimi i ngushtë në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Botërore të vazhdojë, dhe ku pritet që gjatë periudhës katër vjeçare Qeveria e Kosovës do të realizojë një sërë projektesh investive në partneritet me Bankën Botërore.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors