Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, priti sot një delegacion të afaristëve nga Belgjika të interesuar për të investuar në Kosovë. Delegacioni udhëhiqej nga z. Didier Balcaen, drejtor menaxhues i kompanisë “Speed Well Srl.”
Ministrja Bajrami, fillimisht, u shprehu mirëseardhje afaristëve nga Belgjika, dhe i informoi ata me punën që po bën Qeveria e Republikës së Kosovës për të krijuar një ambient të favorshëm për të bërë biznes. Ajo ua shpjegoi atyre reformat që ka ndërmarrë qeveria e Kosovës në drejtim të lehtësimit të punës së bizneseve qoftë të huaj apo atyre nga vendi. Ministrja u ndal tek reformat legjislative, ato fiskale dhe politikat nxitëse të cilat qeveria e vendit i ka ndërmarrë, aktivite të cilat po ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e aktivitetit afarist në vend dhe rritjen e interesimit të investitorëve të huaj për tregun e Kosovës.
Afaristët nga Belgjika, të cilët vinin nga sektori i ndërtimit, shprehën falënderimin e tyre për mbështetjen që Qeveria e Kosovës po ofron për investitorët dhe u shprehën optimistë se investimet e tyre në vlerë disa milionëshe në Kosovë do të fillojnë të realizohen së shpejti.
Ministrja Bajrami u tha afaristëve belgjianë se Qeveria e Kosovës do të jetë gjithmonë mbështetëse dhe avokuese e të gjitha bizneseve në mënyrë që atyre t’u krijohen kushte optimale për të zhvilluar aktivitetin e tyre në Kosovë.