AKTIVITETET KRYESORE TË MINISTRISË SË TREGTISË DHE INDUSTRISË GJATË VITIT 2015

1. PËRKRAHJA E NDËRMARRJEVE TË VOGLA DHE TË MESME DHE PROMOVIMI I INVESTIMEVE

Në krahasim me vitin 2014, vlera e investimeve të huaja direkte, deri në fund të vitit 2015 pritet të dyfishohet dhe të jetë edhe më e lartë se në vitet 2012 dhe 2013.

•    Sipas të dhënave nga BQK, Investimet e Huaja Direkte në periudhën janar – shtator 2015 janë mbi 260 milionë euro, që paraqet një rritje të konsiderueshme krahasuar me 3 vitet e fundit 2012-2014.

•    Gjatë këtij viti janë regjistruar 428 biznese me pronarë të huaj, përderisa vitin e kaluar ky numër ishte vetëm 278. Rritje në regjistrim kemi edhe te kompanitë vendore. Derisa shuarjet e bizneseve kanë shënuar trend më të ulët krahasuar me tri vitet e kaluara.

•    Me qëllim të lehtësimit të qasjes në financa për NVM-të, është përgatitur Projektligji për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore. Ligji është aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Fondi pritet të funksionalizohet në fillim të vitit 2016.

•    Është bërë ndarja e granteve financiare nga fondi i përbashkët me BE-në, në vlerë totale prej 4 milion €. Nga ky projekt, 20 ndërmarrje mikro kanë përfituar ndihmë financiare deri në 25.000 € dhe 16 ndërmarrje të vogla dhe të mesme kanë përfituar shuma deri 200.000 €.

•    MTI ka punuar me prioritet në implementimin e Aktit Evropian për Biznes të Vogël, dhe për këtë qëllim, në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik është formuar nëngrup i veçantë i punës i cili merret vetëm me implementimin e plotë të Aktit Evropian për Biznes të Vogël.

•    154 ndërmarrjeve u janë ofruar shërbime këshillimi përmes skemës së këshillimeve të subvencionuara (80% e vlerës totale); 150 studentë kanë ndjekur praktikën e tyre në kuadër të programit për praktikë biznesi.

•    Me qëllim të nxitjes për të gjetur tregje të reja për kompanitë kosovare, MTI në bashkëpunim me donatorët ka përkrahur dhe realizuar pjesëmarrjen e ndërmarrjeve të Kosovës në panaire ndërkombëtare, si në: Londër, Berlin, Koln, Izmir, etj. MTI ka mbështetur ekspozimin e kompanive kosovare edhe në panairet vendore, si në panairet dhe aktivitetet promovuese të organizuara nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve.

•    Janë organizuar vizita dhe takime me rrjetet e bizneseve në diasporë si dhe janë bërë prezantime të mundësive për investim në Kosovë para investitorëve në vende të ndryshme të botës, si në Vjenë, Cyrih, Berlin, Dyseldorf, Mynih, Këln, Çikago, Abu Dabi, etj. Janë dërguar materiale promovuese të përgatitura nga KIESA në vende të ndryshme anekënd botës, ku Republika e Kosovës ka përfaqësim diplomatik.

•    MTI/Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), ka bërë zvogëlimin dhe eliminimin e shumicës së taksave dhe pagesave për shërbimet e ofruara nga ky institucion shtetëror.

•    ARBK ka punuar me ATK-në dhe Doganën e Kosovës rreth funksionalizimit të plotë të sistemit të integruar për regjistrimin e bizneseve. Janë ofruar zgjidhje me qëllim të vazhdimit dhe përmirësimit të mëtutjeshëm të shërbimit të regjistrimit, dhe pajisjen e bizneseve me numra fiskal dhe çertifikatë të TVSH-ës dhe numrit të Export – Importit. Në ndërkohë është bërë rishikimi dhe analiza e sistemit aktual të sistemit të regjistrimit me qëllim të unifikimit të numrit të regjistrimit në një ID të vetme. Raporti është përgatitur dhe analizat, plani dinamik i propozuar dhe rekomandimet janë në fazën finale.

Funksionalizimi i zonave të lira ekonomike

•    MTI ka ndihmuar komunat në funksionalizimin e Zonave Ekonomike në rajone të ndryshme të Kosovës.

o    Janë finalizuar punët në Parkun e Biznesit në Drenas;
o    Për Zonën Ekonomike në Mitrovicë, gjatë vitit 2015 janë ndarë 200.000 Euro nga buxheti i MTI-së për të investuar në nivelizimin e terrenit në këtë zonë;
o    Zona Ekonomike Shtime – në pjesën e parë të vitit MTI ka ndarë 100,000 euro për ndërtimin e infrastrukturës, e cila ka përfunduar në pjesën e parë të vitit, derisa në pjesën e dytë të vitit MTI ka ndarë edhe 150,000 euro tjera, me të cilat janë duke u realizuar punimet në ndërtim të infrastrukturës;
o    Zona Ekonomike Suharekë – Agrozona Industriale në Samadraxhë, është krijuar këtë vit dhe nga MTI janë ndarë 110,000.00 euro për ndërtim të infrastrukturës;
o    Inkubatori i Biznesit në Komunën e Istogut, MTI i ka ndarë komunës së Istogut 70,000.00 euro për të përkrahur ndërtimin, respektivisht renovimin e një qendre të dedikuar për Inkubator të Biznesit.
o    Qeveria ka marrë vendim që zona kadastrale  Bërnicë  e Poshtme,  në sipërfaqe  prej 8000 m katror, shpallet Inkubator i  Biznesit  për  ndërmarrjet  që merren  me teknologji informative.

 

2.    ËSHTË RIAKTIVIZUAR KËSHILLI KOMBËTAR PËR ZHVILLIM EKONOMIK TË KOSOVËS (KKZHE)

Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës (KKZHE) është ri-funksionalizuar dhe ka mbajtur katër takime gjatë vitit 2015 dhe ka formuar katër grupe punuese.

•    KKZHE si platforma më e rëndësishme e dialogut publik-privat ka diskutuar çështje të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit, si Strategjia Kombëtare për Zhvillim, Programi i Reformave Ekonomike, Marrëveshja për Stabilizim Asociim, Raporti i Bankës Botërore për të Bërit Biznes, pakon e politikave fiskale, etj., dhe ka marrë një sërë vendimesh me interes për përmirësimin e klimës së të bërit biznes.

•    KKZHE ka formuar katër grupe punuese të cilat diskutojnë temat e caktuara dhe i paraqesin rekomandimet KKZHE-së.

3.    HAPJA E TREGUT DHE INTEGRIMI NË TREGJET RAJONALE DHE GLOBALE

MTI ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në forume të rëndësishme ndërkombëtare dhe ka avancuar statusin ndërkombëtar të saj. Në nëntor të këtij viti, Kosova është bërë anëtare me të drejta të plota në Komitetin për Investime të Evropës Juglindore.

•    MTI ka përfaqësuar Kosovën në të gjitha takimet e CEFTA-s. Gjatë këtij viti është negociuar tregtia e shërbimeve dhe janë mbajtur 5 runde të negociatave nga gjithsej 6, me ç‘rast janë negociuar: shërbimet e biznesit dhe ato profesionale; shërbimet e turizmit, të mjedisit dhe ato rekreative; shërbimet e komunikimit dhe të ndërtimit; shërbimet e distribuimit, të arsimit dhe ato shëndetësore. Rundi i gjashtë i negociatave pritet të përfundoj në Mars 2016 ku do të negociohen shërbimet financiare, të transportit dhe ato audiovizuele.

•    MTI e ka mbikëqyrur implementimin e Strategjisë së Evropës Juglindore 2020 dhe ka marrë pjesë edhe në takimet e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC). Në takimin e mbajtur në nëntor, në Mal të Zi, Republika e Kosovës është bërë anëtarë me të drejta të plota në Komitetin për Investime të Evropës Juglindore.

•    Gjatë vitit është punuar edhe në përgatitjen e materialeve të nevojshme për aplikim në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) dhe është vizituar selia e kësaj organizate për t’u njoftuar me procedurat për anëtarësim.

•    Gjithashtu, agjencitë që funksionojnë në kuadër të MTI-së kanë marrë pjesë aktive në takimet e organizatave të specializuara të infrastrukturës së cilësisë.

•    Janë zhvilluar negociatat për nënshkrimin e marrëveshjeve për mbrojtje dhe promovim të investimeve me: Slloveninë, Shqipërinë, Kanadanë dhe Bullgarinë.

•    Në kuadër të politikës tregtare, Departamenti i Tregtisë i MTI-së ka punuar në eleminimin e barrierave tregtare. Gjatë këtij viti janë organizuar takimet e 4 nëngrupeve punuese: nëngrupi punues për bujqësinë, industrinë, shërbimet dhe lehtësimin e tregtisë. 

•    Me qëllim të eliminimit të barrierave administrative dhe ligjore për ofruesit e shërbimeve, është punuar rreth Ligjit për shërbimet; është aprovuar në Qeveri koncept dokumenti për shërbimet, dhe ligji pritet të finalizohet gjatë vitit 2016.

•    Është realizuar ueb-platforma elektronike “Raporto Barrierat” e cila është funksionale – e realizuar nga MTI në bashkëpunim më projektin e BE-së për mbështetjen e mëtutjeshme të Politikave Tregtare. Platforma elektronike, tashmë ua mundëson bizneseve kosovare të kenë shumë më të lehtë adresimin e barrierave tregtare gjatë eksportit, importit apo kalimit tranzit të mallrave të tyre.

Raportet tregtare me Shqipërinë – adresimi i barrierave tregtare

•    MTI në takimet me krerët më të lartë të shtetit dhe ministrat relevantë të qeverisë së Shqipërisë ka ngritur një sërë rastesh të barrierave të ndryshme tregtare me të cilat bizneset kosovare ballafaqoheshin, të tilla si: pamundësia për të eksportuar vezë në tregun e Shqipërisë; pamundësia për të eksportuar produktet farmaceutike për shkak të mos-regjistrimit të produkteve në Agjencinë e Barnave të Shqipërisë; aplikimi i çmimeve referente ndaj disa produkteve kosovare; çështja e tahografëve e cila ishte një barrierë a kahershme për transportuesit kosovarë, etj. Shumë prej këtyre rasteve të ngritura janë adresuar dhe për çështjet e pazgjidhura MTI do të vazhdoj dialogu me autoritetet shqiptare.

4.    PËRMIRËSIMI I INFRASTRUKTURËS LIGJORE

Gjatë vitit 2015 janë proceduar dhe janë miratuar në qeveri dhe/ose kuvend 9 ligje të sponsoruara nga MTI (një është në pritje të miratimit në qeveri) si dhe janë aprovuar 5 akte nënligjore.

Ligjet

1. Ligji Nr. 05/L-039 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-029 për Patenta, është  miratuar në  Kuvend, shpallur me dekretin Nr. DL-024-2015, datë 17.08.2015;
2. Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 04/l-026 për Markat Tregtare, është miratuar në  Kuvend, shpallur me dekretin Nr. DL-026-2015, datë 17.08.2015;
3. Projektligji për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, është miratuar në  Kuvend;
4. Projektligji për Dizajnin Industrial, është miratuar në Kuvend;
5. Projektligji për Treguesit Gjeografik dhe për Emërtimet e Origjinës, është miratuar në  Kuvend;
6. Projektligji për Investime Strategjike në Republikën e Kosovës, është miratuar në Qeveri dhe është proceduar në Kuvend;
7. Projektligji për Falimentim, është miratuar në Qeveri;
8. Projekt-ligji për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme në Kosovë, është miratuar në Qeveri;
9. Projekt-ligji për rezervat e obligueshme të naftës (është dërguar për miratim në Qeveri);

Aktet nënligjore të nënshkruara

1. Udhëzimi Administrativ Nr.01/2015 për Formën dhe Përmbajtjen e Regjistrit të Investimeve të Huaja (04.03.2015);
2. Udhëzimi Administrativ Nr.02/2015 për Periudhën Verifikuese të Mjeteve Matëse Ligjore, Mënyra e Zbatimit si dhe Periudhat Ri-kalibruese për Etalonët të cilët përdoren për Verifikimin e Mjeteve Matëse Ligjore (01.07.2015);
3. Udhëzimi Administrativ Nr.03/2015 për Përcaktimin e Taksave për Shërbimet e Ofruara nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve (21.07.2015);
4. Udhëzimi Administrativ Nr.04/2015 për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 02/2013 Procedurat dhe Mënyra e Testimit të Miratimit të Tipit të Mjetit Matës (28.08.2015).
5. Rregullorja Nr. 01/2015 për Punën e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës (04.06.2015).

Koncept dokumentet

1. Koncept dokumenti për Tregtinë me Shërbime, është aprovuar në Qeveri.
2. Është hartuar Koncept dokumenti për projektligjin për Turizmin, i gatshëm për procedim në Qeveri.
3. Është në hartim Koncept dokumenti për Projektligjin e Akreditimit, në nivel të Grupit punues.

Udhëzimet-Rregulloret në procedurë

1. Draft-rregullorja për Instrumentet Matëse, është dërguar në konsultim paraprak dhe publik.
2. Draft-udhëzimi Administrativ për Formën dhe Përmbajtjen e Kërkesës dhe Njoftimit për Hetimin e Masave Anti-damping.
3. Draft Udhëzimi Administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ Nr.07/2012 për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës, është në procedurë të hartimit nga Grupi punues.

5. RREGULLIMI I TREGUT TË BRENDSHËM DHE INFRASTRUKTURA E CILËSISË

Është rritur ndjeshëm numri i pikave shitëse të karburanteve që janë licencuar – nga 377 sa ishin në fund të vitit 2014, në 522.

•    Është bërë regjistrimi me GPS i të gjitha pikave shitëse të karburanteve në vend. Është arritur rezultat i lartë në formalizimin e pikave shitëse të karburanteve: numri i pikave të shitjes të licencuara është rritur në 522 sosh. Po ashtu, numri i pikave të kalibruara është 522.

•    MTI nëpërmjet Inspektoratit të Tregut ka bërë inspektime të vazhdueshme për kontrollimin e cilësisë së derivateve të naftës. Aktualisht, Inspektorati i Tregut këtë detyrë e ushtron nëpërmjet trupave të autorizuara dhe laboratorëve të akredituar dhe MTI po punon në rritjen e numrit të kontrolleve të cilësisë së naftës dhe të produkteve të saj. Janë rritur ndjeshëm kontrollimet e jashtëzakonshme, nga 7 në 47 kontrollime. Janë tërhequr nga tregu, asgjësuar 215 copë pajisje “Llampë e lëvizshme për fëmijë”, të pasigurta për shkak të mos përmbushjes së kërkesave themelore të sigurisë. Janë lëshuar 22 aktvendime për konfiskim të mallit dhe janë shqyrtuar 85 ankesa të konsumatorëve.

•    Agjencia e Metrologjisë ka intensifikuar ushtrimin e kontrollit ligjor të mjeteve matëse ligjore në qarkullim publik. Kjo agjenci ka realizuar verifikimin e mbi 522 pikave shitëse të karburanteve, respektivisht ka verifikuar mbi 4443 dorëza. Ka pasur rritje të shërbimeve metrologjike, respektivisht rritje të numrit të verifikimeve/kalibrimeve për të gjitha instrumentet matëse për fushat e metrologjisë siç janë: masa, vëllimi dhe rrjedhje, temperaturë dhe lagështi, kontrolli i cilësisë së punimeve të metaleve të çmuara.

•    Drejtoria e Akreditimit e Kosovës (DAK) ka rritur numrin e Trupave të Vlerësimit të Konformitetit të akredituara. Janë kryer: 22 Mbikëqyrje të rregullta (18 Laborator Testues dhe 4 Trupa Inspektues); 10 Vlerësime (8 Laborator Testues dhe 2 Trupa Inspektues); 13 Akreditime (11 LT dhe 2 TI), (9 akreditime fillestare, 3 ri-akreditime, një zgjerim fushe, 3 laborator të Agjencisë së Forenzikës); 13 Aplikime për akreditim (12 LT dhe 1 TI). 1 Pezullim i akreditimit.

•    Agjencia për Pronësi Industriale në fillim të vitit ka pasur në ‘backlog’ mbi 24 mijë lëndë të grumbulluara nga vitet e mëparshme, prej të cilave, me ndihmën edhe të projektit të BE-së “Lëvizja e Lirë e Mallrave” është arritur të përfundojnë rreth 20 mijë. API ka marrë pjesë në takimet e Këshillit Shtetëror për Pronësi Intelektuale; Janë mbajtur takimet e rregullta të Task Forcës kundër Piratërisë; Është punuar në regjistrin online të objekteve të pronësisë industriale; Është instaluar IPAS në Serverin e ri, i ndarë dhe i posaçëm për Agjencinë e Pronësisë Industriale. Kjo ka rezultuar që IPAS të jetë më i shpejtë dhe më i sigurtë. Agjencia e Pronësisë Industriale ka vazhduar aktivitetin e saj ne pranimin dhe evidentimin e aplikimeve për objekteve të pronësisë industriale: Marka Tregtare, Patentave, Dizajne Industriale, kundërshtime te markave te publikuara, hulumtime të markave tregtare, patentave, ekzaminime të parakohshme, vazhdime, ndryshime, kërkesa për mbajtje në fuqi, dokumente të përparësisë, ndërrim përfaqësuesi, autorizime gjeneralë, autorizime për lëndë përkatëse, ankesa ne komision të ankesave, vendime te komisionit te ankesave dhe dokumentacione tjera shtesë.

6.    REALIZIMI I BUXHETIT DHE PROJEKTET KAPITALE ZHVILLIMORE

Deri në përfundimin e këtij viti, pritet që MTI të realizoj rreth 95% të buxhetit vjetor. MTI ka rritur rezervat shtetërore edhe për 400,000 Euro.

•    MTI ka ndërmarrë veprime dinamike përgjatë gjithë vitit 2015 sa i përket përmbushjes së objektivave strategjike dhe realizimit të planit të punës, përkatësisht Programit të Qeverisë 2015-2018. Të gjitha objektivat dhe masat e parapara për MTI-në në kuadër të planit qeverisës janë adresuar me mjaft përkushtim dhe seriozitet duke qenë në përputhshmëri të plotë me afatet kohore të përcaktuara në planin për zbatimin e programit të Qeverisë 2015-2018. Plani i punës i paraparë për vitin 2015 është realizuar me sukses dhe në të gjitha aktivitetet është punuar me dinamikë të lartë.

•    Buxheti vjetor i MTI-së është 5,3 mil Euro. MTI ka arritur t’i përfundoj pjesën dërmuese të aktiviteteve të parapara dhe pritet që deri në fund të këtij viti realizimi i buxhetit të arrij deri në 95%. Këtë vit, MTI ka rritur rezervat shtetërore edhe për 400,000 Euro. Vlera paraprake e rezervave në grurë, miell, naftë-dizel si dhe produkte agro-ushqimore ka qenë 700,000 Euro.

•    Projekti për Zhvillimin e Qendrës Turistike të Brezovicës: Sa i përket kontratës me konsorciumin MDP Consulting – Compagnie des Alpes, Qeveria e Kosovës i ka përmbushur deri më tani të gjitha obligimet e saj kontraktuale për periudhën tranzitore. Pas kërkesës së Partnerit Privat, Komiteti Drejtues Ndërministror për Projektin Zhvillimor të Kompleksit Turistik të Brezovicës ka vendosur për zgjatjen e periudhës kohore që Palët të përmbushin parakushtet për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së PPP deri më 31 maj 2015.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors