Tryeza shkencore me temë “Investimet e Huaja Direkte në Kosovë”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në tryezën shkencore me temë “Investimet e Huaja Direkte në Kosovë”, të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa tha se ideja e tryezës ishte trajtimi i investimeve të huaja direkte nga disa dimensione, siç janë dimensioni i reformave institucionale të cilat po bëhen në Kosovë, dimensioni i tërheqjes së investimeve të huaja direkte lidhur me instrumentet dhe masat që duhet t’i ndërmerr vendi ynë, si dhe nga dimensioni i ri-industrializimit përmes investimeve të huaja direkte, dhe nga ai i privatizimit.

Duke folur për proceset aktuale ekonomike në vend, kryeministri Mustafa tha se tranzicioni është karakterizuar mes tjerash me liberalizimin e tregjeve për investitorët e jashtëm, me ç’ rast është bërë i mundur depërtimi i shumë kompanive në tregjet e ndryshme dhe në sektorë të ndryshëm edhe të vendeve të cilat kishin ekonomi të centralizuar. “Për më tepër, në faza të ndryshme dhe të hershme, liberalizimi ka qenë edhe si një prej burimeve të shumë krizave në ekonomi. Ndryshimet të cilat kanë ndodhur në çmimet relative dhe liberalizimi i tregjeve ka krijuar presione konkurruese të cilat kanë quar në humbje financiare për shumë firma dhe në rënie të nivelit të prodhimit, por gjithashtu edhe subvencionet direkte të ndërmarrjeve janë ulur ndjeshëm dhe kanë shkaktuar një rënie fillestare të prodhimit që nuk ka mundur të kompensohet nga sektori privat, i cili rishtas është krijuar në këto vende”, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se të gjitha këto janë studiuar në mënyrë të vëmendshme nga studiuesit kosovarë të cilët sot morën pjesë në këtë tryezë, dhe të cilët i kanë prezantuar punimet e tyre në shumë fusha.

Më tej, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, foli lidhur me rrethinat e biznesit dhe investimet e huaja direkte (IHD), të cilat për vendet në zhvillim janë motor i zhvillimit ekonomik. Ato nuk shihen si transfer i thjeshtë i mjeteve monetare, por kanë ndikim të shumëfishtë pozitiv, sepse, përveç transferit të kapitalit, bëhet transferi i teknologjisë, i informacionit, i kulturës së punës dhe asaj menaxheriale, si dhe i njohurive rreth marketingut, tha ajo, duke shtuar se ka një argument të fortë që ekziston një lidhje e drejtpërdrejt në mes IHD, rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të reja të punës.

“Ambienti i të bërit biznes është një nga instrumentet e rëndësishme me të cilin vendet e ndryshme konkurrojnë sa i takon tërheqjes së IHD. Viteve të fundit, qeveritë (Institucionet e Kosovës) kanë qenë mjaft të përkushtuara në përmirësimin e ambientit të biznesit në vend, dhe si rezultat i kësaj, Kosova ka arritur që të bëjë progres të dukshëm në rangimin e përgjithshëm në kuadër të raportit të Bankës Botërore (BB) për të bërit biznes” vazhdoi ministrja duke vënë në pah se rezultatet e raportit të Bankës Botërore, paraqesin një udhërrëfyes të mirë për fokusimin e reformave drejt përmirësimit të mëtutjeshëm të ambientit të biznesit në vendin tonë.

Ministrja Bajrami në fund shtoi se Qeveria e Kosovës është zotuar që të vazhdojë me këto reforma, dhe MTI, si koordinatore e këtij procesi, do të paraqesë një sërë rekomandimesh për institucionet e nivelit qendror dhe lokal, për t’i kontribuar zbatimit të reformave.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors