Sot në Prishtinë u mbajt një takim informativ në të cilin u bë prezantimi dhe lansimi zyrtar i “Regjistrit Qendror të Lejeve dhe Licencave në Kosovë.“ Takimi u organizua nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe Zyra e Kryeministrit (ZKM), ku të pranishëm ishin z. Jan Peter Olters, drejtor i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, z. Christoph Lang, zëvendës drejtor i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe mysafirë të tjerë.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, z. Ilir Salihu, në fjalimin e tij, tha se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën e Kryeministrit, dhe me mbështetje të çmueshme nga Banka Botërore dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), kanë arritur të krijojnë Regjistrin Qendror të të gjitha lejeve dhe licencave të lëshuara nga institucione të ndryshme në Kosovë.
Z. Salihu i informoi të pranishmit se Regjistri Qendror i Lejeve dhe Licencave përmban informacione për rreth 480 dokumente të ndryshme publike, të lëshuara nga 24 institucione qendrore në 21 fusha të aktivitetit ekonomik, ku përfshihen: leje, licenca, certifikata, autorizime etj. Këto dokumente të cilat lëshohen nga institucionet qendrore janë qenësore për t’ua mundësuar bizneseve operimin e tyre në të gjitha fushat e ekonomisë. Në këtë mes, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është njëri nga akterët kryesorë në kuadër të këtij Regjistri, me 43 Leje të cilat lëshohen nga institucionet e saj vartëse, si: Agjencia e për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), Agjencia për Pronësi Industriale (API), Departamenti i Produkteve të Naftës dhe institucionet tjera që e mbulojnë infrastrukturën e cilësisë, tha Salihu.
Më tej, z. Salihu shtoi se “Ne besojmë se Qeveria e Kosovës me finalizimin e Regjistrit Qendror të Lejeve dhe Licencave të cilat lëshohen nga Institucionet e vendit ka shënuar progres të madh, sepse ne jemi njëri nga vendet e para në rajon që po e implementojmë një projekt të tillë kaq të rëndësishëm i cili do të ofrojë informacione të rëndësishme për palët relevante, dhe poashtu do të rrisë ndjeshëm nivelin e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike.”
Z. Salihu nënvizoi se Qeveria e Kosovës në programin e saj të punës e ka vendosur si prioritet efikasitetin, transparencën dhe llogaridhënien, dhe këto janë treguesit kryesorë në përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe mirëqenies së përgjithshme në Kosovë. Prandaj, ne besojmë fuqishëm se implementimi dhe përdorimi i gjerë i këtij Regjistri Qendror do të na ndihmojë shumë në arritjen e këtyre qëllimeve, shtoi ai.