Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), organizoi sot konferencë për t’i informuar bizneset e rajonit të Prishtinës rreth risive që tashmë janë duke u bërë për zhvillimin dhe lehtësimin e të bërit biznes në Kosovë.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në fjalimin e saj, i njoftoi të pranishmit se gjatë këtij viti kemi pasur shumë indikacione pozitive, si rezultat i përmirësimit të klimës investive në Kosovë, kemi arritur që vetëm për tetë-mujorin e parë të këtij viti, të kemi 240 milionë euro investime të huaja. “Meqenëse, pakoja e re fiskale ka hyrë në fuqi në shtator presim që në fakt pjesa më e madhe e investimeve të absorbohet pikërisht deri në fundvit, duke synuar arritjen e një shifre deri në 400 milionë euro investime në Kosovë për këtë vit, që do të ishte trendi më pozitiv që nga viti 2012”, deklaroi ministrja Bajrami.
Ajo theksoi se duke marrë parasysh të gjitha reformat që janë bërë për të shtyrë më tej agjendën ekonomike ka pasur edhe rritje të numrit të kompanive me pronar të huaj, ku vetëm për periudhën nëntëmujore kemi pasur 428 kompani me pronarë të huaj, që janë regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve Kosovare, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
“Po ashtu, është bërë ri-funksionalizimi i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, i cili po funksionon në mënyrë shumë të mirë. Aty i kemi të gjitha institucionet relevante të nivelit qendror dhe të nivelit lokal, si dhe të gjitha asociacionet e biznesit, që përfaqësojnë interesat e biznesit dhe i paraqesin barrierat, në mënyrë që ne pastaj t’i adresojmë. Në kuadër të këtij këshilli funksionojnë katër grupe punuese, ku secili nga grupet udhëhiqet nga ministrat e linjës dhe se nuk ka asnjë çështje deri më tani që është adresuar e nuk është zgjidhur”, tha ministrja Bajrami.
Indikator tjetër në përmirësimin e ambientit të biznesit, sipas ministres Bajrami, është edhe raporti i Bankës Botërore të të bërit biznes, ku Kosova është renditur në vendin e 66-të prej 189 shteteve, që bën të kuptosh se institucionet, si në nivelin qëndror po ashtu edhe në atë lokal janë shumë mirë të organizuara në reformën e përmirësimit të klimës së biznesit.
Ajo ritheksoi edhe njëherë se përveç ligjeve që i kemi ndryshuar dhe plotësuar gjatë këtij viti, ndoshta dy ligje që vlen të përmenden dhe që janë në interes të komuniteti të biznesit janë: Ligji për Garanci Kreditore dhe Ligji për investime Strategjike. “Ligji për Garanci Kreditore, i cili pritet të kalojë në leximin e dytë në Kuvend, parasheh që një pjesë e fondeve që vijnë nga fondet e donatorëve, autoriteti publik do të bëjë garantimin e kredive për të gjitha kreditë e biznesit. Po ashtu, Ligji për investime Strategjike, ku përmes këtij ligji është krijuar një bazë ligjore në mënyrë që Kosova të jetë konkurrente me vendet e rajonit sa i përket partneriteteve me biznese strategjike të vendeve të zhvilluara. Kjo na jep mundësi, që institucionet e Kosovës të hyjnë në negociata të drejtpërdrejta me investitorë që janë të interesuar që të marrin në shfrytëzim asete të caktuara në Republikën e Kosovës për të krijuar vende të punës, për të bërë transfer të teknologjisë, si dhe për të përmirësuar në përgjithësi kualitetin e jetës së qytetarëve, por duke pasur parasysh gjithherë kriteret që janë përcaktuar me ligj dhe duke marrë parasysh interesin publik”, theksoi Bajrami
Ajo përmendi edhe inicimin e projektit, që do të përkrahë kompanitë për certifikimin produkteve dhe shërbimeve sipas standardeve ndërkombëtare, në mënyrë që ofertat e kompanive kosovare të jenë sa më konkurruese në tregun vendor dhe ndërkombëtar.
Po ashtu, ministrja sqaroi para pjesëmarrësve për nismën e unifikimit të numrave të ndryshëm të biznesit, në një numër të vetëm, që do të aplikohet në të gjitha procedurat e aktivitetit biznesor, e që do t’ua lehtësojë edhe më shumë aktivitetin ndërmarrësve.
Ajo bëri të ditur se me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit janë krijuar mundësi të reja për depërtimin e bizneseve kosovare në tregjet ndërkombëtare, ku do të mundësohen investime në projekte të reja dhe njëkohësisht do të punohet në plotësimin e standardeve për kualitet të cilësisë së produkteve kosovare, që do t’u mundësojë bizneseve qasje në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.
“Ne jemi duke u munduar që Parku i Biznesit i Drenasit të zgjerohet dhe në anën tjetër të rrugës, në një hapësirë 75-80 hektarë, i cili nuk është një park vetëm për komunën e Drenasit për është një park që do t’u shërbejë komuniteti të biznesit të gjithë Kosovës, për shkak të lokacionit strategjik dhe qasjes në infrastrukturë që ka”, bëri të ditur ministrja Bajrami.
Ministrja pohoi se në CEFTA, ne si ministri bartëse për këtë mekanizëm jemi shumë aktiv dhe jemi duke i negociuar shërbimet në kuadër të këtij mekanizmi dhe se tashmë jemi shumë të kujdesshëm që disa shërbime t’i mbrojmë. Ajo, gjithashtu përsëriti edhe një herë se është duke u punuar edhe rreth aplikacionit në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), me qenë se sa herë kemi të bëjmë me çështje tregtare me cilindo vend na aplikohen rregullat e kësaj organizate, kështu që dëshirojmë që t’i marrim edhe benefitet jo vetëm kostot nga OBT-ja.
Në fund, ministrja Bajrami kërkoi nga bizneset që barrierat, hallet dhe sugjerimet t’i paraqesin dhe së bashku t’i diskutojmë hapur në mënyrë që ta përmirësojmë ambientin e biznesit në Kosovë.