Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) mori pjesë në konferencën e organizuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), që organizohet në kuadër të projektit tradicional “Javët e Biznesit Kosovar”.
Ministrja Bajrami shprehu kënaqësinë e saj, që bashkë me drejtuesit e AKB-së, të flasin për planet dhe organizimet e aktiviteteve dhe manifestimeve në kuadër të këtij projektit dhe që ka përpara një tryezë me kaq shumë prodhime vendore.
Ajo potencoi se në fakt këto aktivitete kanë diçka të veçantë. E para, ato zhvillohen mbi platformën e një trekëndëshi të rëndësishëm: Prodhues vendor – institucione – konsumatorë. E dyta, ato përfshijnë aktivitete që krijojnë një lidhje të rëndësishme me trevat e ndryshme ku jetojnë dhe veprojnë bashkatdhetarët tanë, si dhe me vendet që paraqesin një treg strategjik për prodhuesit kosovarë”, u shpreh ministrja Bajrami.
Më tej ajo shtoi se është e përkushtuar që të ndihmojë prodhuesit vendorë që të zgjerojnë kapacitetet e tyre prodhuese e përpunuese dhe të rrisin cilësinë e produkteve dhe të shërbimeve të tyre, në mënyrë që ato të jenë më konkurrente me produktet e importuara, dhe të konkurrojnë në tregjet rajonale e globale, theksoi ministrja Bajrami për të shtuar se “MTI-ja është e hapur për bashkëpunim me të gjitha asociacionet e biznesit që veprojnë në Kosovë, njëkohësisht edhe me AKB-në dhe ka si prioritet kryesor fuqizimin e sektorit privat dhe zhvillimin e ndërmarrësisë”.
Ministrja Bajrami ceku se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes aktiviteteve të saj synon të përmirësojë ambientin e të bërit biznes në Kosovë dhe rrjedhimisht ngritjen e kapaciteteve të kompanive kosovare, në terma të rritjes së vlerës së prodhimit dhe gjenerimit të vendeve të reja të punës.
Ajo ritheksoi edhe njëherë se është në proces të inicimit të një projekti që do të përkrahë kompanitë për certifikimin produkteve dhe shërbimeve sipas standardeve ndërkombëtare, në mënyrë që ofertat e kompanive kosovare të jenë sa më konkurruese në tregun vendor dhe ndërkombëtar.
Në fund të takimit, ministrja Bajrami shtoi se MTI distancohet nga dhuna dhe dëmtimi i pronës private e publike. “Le të protestohet në mënyrë të qetë, duke artikuluar kërkesat karshi institucioneve, por përdorimi i dhunës është i papranueshëm”, tha ajo.