Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në kuadër të informimit të bizneseve të komunave të Kosovës, sot vizitoi Komunën e Gjakovës, ku u takua me kryetaren e kësaj komune, z.Mimoza Kusari-Lila.
Me këtë rast, ministrja Bajrami u informua nga kryetarja Kusari-Lila, rreth zhvillimeve aktuale në këtë komunë, me theks të veçantë rreth industrisë dhe zhvillimit të ndërmarrësisë në rajonin e Gjakovës.
Gjatë takimit ministrja Bajrami shprehu gadishmërinë e saj dhe të institucionit të cilin ajo e drejton për të mbështetur pushtetet lokale në reformat e ndërmarra për të përmirësuar të të bërit biznes në Kosovë, duke mështetur funksionalizimin e zonave ekonomike.
Ajo, po ashtu bëri të ditur se është në finalizim Draft-ligji për Investime Strategjike, që do të përcaktojë fushat e zhvillimit strategjik të Kosovës, dhe do të mundësojë thjeshtëzimin e procedurave për investime strategjike dhe se do të bëjë të mundur negocimin me investitorë strategjikë për të sjellë investime të reja në Kosovë, e po ashtu edhe në Gjakovë.
“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të jetë gjithëherë në shërbim të përkrahjes së zhvillimit të ndërmarrësisë, në mënyrë që të ndikohet në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.”, u shpreh ministrja Bajrami.