Ministrja Bajrami ua prezantoi bizneseve austriake mundësitë për investime në Kosovë

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, mori pjesë në Forumin Ekonomik Kosovë-Austri, i cili u mbajt sot në Prishtinë.

Pjesë e këtij forumi, përveç bizneseve nga Kosova, ishin edhe më se 25 kompani të rëndësishme austriake, të cilat kishin ardhur nën organizimin e Odës Ekonomike Federale të Austrisë, për t’u njoftuar rreth mundësive që ofron Kosova për të zhvilluar afarizëm.  

Në fjalën e saj, zonja Bajrami u shpjegoi të pranishmëve rreth reformave që po ndërmerr Qeveria e Kosovës për të krijuar kushte sa më të favorshme për bizneset. Ajo ftoi kompanitë austriake të investojnë në Kosovë, dhe shtoi se Qeveria e vendit si objektiv kryesor ka përmirësimin e ambientit të të bërit biznes dhe thithjen e investimeve të huaja direkte.  

Ministrja Bajrami ua shpjegoi bizneseve austriake pakon e re fiskale, ku parashihet lirimi nga importi për linjat prodhuese, makineritë dhe lëndën e parë për prodhim. Ajo foli edhe për reformimin e legjislacionit dhe përafrimit të tij me atë të BE-së, duke theksuar se këto reforma pritet të prodhojnë efekte pozitive në rritjen e nivelit të investimeve të huaja në vend.

Ministrja, më tej përmendi edhe një varg masash të ndërmarra nga Qeveria me qëllim nxitjen e investimeve dhe eliminimin e barrierave për investitorët e jashtëm. Në këtë mes, ajo përmendi Ligjin për Investimet e Huaja, marrëveshjet dypalëshe për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve, ku parashihen një varg lehtësirash.  
Në vazhdën e këtyre politikave ekonomike, znj. Bajrami përmendi edhe për Ligjin për Investimet Strategjike, Ligjin për themelimin e Fondit për Garantimin e Kredive, i cili do të ndikojë në përmirësimin e qasjes në financa, mbështetjen për ndërmarrësinë inovative, pushimet tatimore që do të aplikohen në varësi të nivelit të investimeve, si dhe lehtësi të tjera.

Ministrja  nënvizoi se pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit do të hapen mundësi të reja si për bizneset kosovare po ashtu edhe për rritjen e prezencës së kompanive të huaja në Kosovë. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Kosova ka filluar integrimin e saj të plotë brenda tregut të përbashkët evropian, dhe se rezultatet e këtij procesi pritet të ndjehen vitet në vijim, theksoi ministrja Bajrami.

Ministrja ua shpjegoi afaristëve austriakë sektorët strategjikë në të cilët ata do të mund të investonin kapitalin e tyre dhe u foli po ashtu mbi përmirësimin e kapaciteteve infrastrukturore, që janë bërë dhe po bëhen me qëllim të përmirësimit të kushteve për veprimtari biznesore.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors