Në Pejë, u informuan bizneset e këtij rajoni përmes konferencës informuese për bizneset në kuadër të “Ditëve të Biznesit”, që u organizua nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Komunën e Pejës. Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale dhe përfaqësues nga komuniteti i bizneseve pejane. Ato u informuan hollësisht rreth shërbimeve që ofrojnë institucionet qeveritare në përkrahjen e vazhdueshme që e bëjnë për të zhvilluar ndërmarrësinë dhe për të krijuar kushte më të mira për biznes dhe investime.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në fjalën e saj fillimisht shprehu përkrahjen e vazhdueshme nga institucioni të cilin ajo e drejton dhe nga mekanizmat tjerë qeveritarë për të zhvilluar edhe më tej sektorin privat në Kosovë. Ajo i potencoi edhe të arriturat e Qeverisë së Kosovës gjatë kësaj periudhe qeverisjeje, duke thënë se janë ndërmarrë hapa konkret për të institucionalizuar dialogun publiko-privat.
Ajo ritheksoi se qëllimi i pjesëmarrjes në këto konferenca, të cilat janë duke u organizuar në të gjitha rajonet e Kosovës, është informimi dhe bashkëbisedimi me bizneset për t’i dëgjuar sfidat me të cilat ballafaqohen ato.
Ministrja Bajrami i informoi afaristët pjesëmarrës për pakon së re fiskale, e cila tashmë ka hyrë në fuqi dhe se tani bizneset po i ndjejnë efektet e saj. “Është duke u përgatitur Udhëzimi Administrativ për pushimet tatimore, ku bizneset lirohen nga tatimi në fitim për një periudhë të caktuar gjatë investimeve të tyre”, theksoi ajo.
Ajo ka përkujtuar se gjatë kësaj periudhe të qeverisjes janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në kuadër të angazhimeve për të institucionalizuar dialogun publiko-privat, ku tashmë është funksional Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës, dhe se koordinatore është Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. “Ky Këshill është një platformë e rëndësishme për adresimin e barrierave dhe problemeve të bizneseve. Në kuadër të Këshillit janë funksionalizuar grupe nga ministritë përkatëse për t’i shqyrtuar kërkesat e bizneseve. Të gjitha këto kërkesa adresohen te mekanizmat përkatës institucionalë”, potencoi ministrja Bajrami.
Ministrja Bajrami njoftoi se tashmë është finalizuar draft-ligji për investime strategjike, që përcakton fushat e zhvillimit strategjik të Kosovës, i cili do të thjeshtëzojë procedurat për investime dhe njëkohësisht do të mundësojë negocimin me investitorë strategjikë për të sjellë investime të reja në Kosovë.
Ajo njëkohësisht foli edhe për Skemën e Garantimit të Kredive, ku bizneset do të kenë qasje më të lehtë në financa dhe shpjegoi se kjo skemë do të ndikojë në përmirësimin e infrastrukturës së kredive.
Ministrja sqaroi para përfaqësuesve të komunitetit të biznesit se po punohet në projektin e unifikimit të numrave të ndryshëm biznesorë që ekzistojnë aktualisht, në mënyrë që ata të integrohen në një numër të vetëm, i cili do të aplikohet në të gjitha procedurat. “Po ashtu, kemi hequr disa taksa për bizneset si dhe jemi duke punuar në Ligjin për Falimentim. Jemi duke punuar po ashtu edhe në rishikimin e Ligjit për Shoqëritë Tregtare. Të gjitha këto veprime do të ndikojnë shumë në përmirësimin e klimës së të bërit biznes”, tha ministrja Bajrami.
Ajo bëri me dije se në kuadër të politikave tregtare janë marrë parasysh barrierat tregtare, dhe se në kuadër të CEFTA-s ne jemi shumë aktivë për t’i zgjedhur problemet tregtare në favor të liberalizimit të tregtisë.
“Në vazhdimësi jemi duke u koordinuar me përfaqësuesit lokalë të komunave të Kosovës, për themelimin e zonave industriale. Prandaj, i inkurajoj institucionet lokale që të fillojnë procedurat për themelimin e këtyre zonave, që do të ndikojnë dukshëm në zhvillimin e komunave dhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës”, citoi ajo.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të jetë gjithherë derë e hapur e adresimit të barrierave të bizneseve.
Në fund të konferencës u shpallën edhe ndërmarrjet më konkurruese në rajonin e Pejës:
Vendi i parë i takoi ndërmarrjes “Newco Trofta” L.L.C.
Vendi i dytë i takoi ndërmarrjes N.P.T."BAKALLI METAL"
Vendi i tretë i takoi ndërmarrjes " AGROPRODUCT " SH.P.K.
Pas konferencës, ministrja vizitoi ndërmarrjet e rajonit të Pejës: kompaninë “Mobile-Dekor”, që merret me mobilieri dhe kompaninë “Elsa Group”, që merret me përpunimin e mermerit.