MTI prezanton raportin “15 vite të Tranzicionit në Kosovë: Implikimet në Tregti”

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë prezantoi raportin e parë të analizave të thella të tregtisë dhe zhvillimeve të lidhura me tregti në Kosovë gjatë 15 viteve të fundit. Ky raport që përmban analiza tregtare përgjatë viteve të Tranzicionit në Kosovë, pasqyron realitetin e implikimeve në tregti të bilancit të vazhdueshëm negativ tregtarë dhe implikimeve në zhvillimin e vendit, përbërjen sektoriale të tregtisë, strukturën gjeografike të tregtisë, gjendjen e sektorit privat, mjedisin biznesor, lehtësira tregtare e shumë analiza të tjera që ndërlidhen me tregtinë në Kosovën e pasluftës.

Me këtë rast, zv. ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati, tha se ky raport i prezantuar sot, i përgatitur nga stafi i Departamentit të Tregtisë dhe me përkrahje të projektit të BE-së për Politika Tregtare, përmbledh në një dokument të vetëm ndryshimet të cilat kanë ndodhur në sferën e tregtisë në 15 vitet e fundit.

Sipas zv. ministrit Kastrati, ky raport është mjaft përmbajtjesor që lexuesit i ofron informata të vlefshme rreth ekonomisë së Kosovës në përgjithësi, rolit të sektorit privat dhe roli i MTI-së në ndërtimin e relacioneve me organet tjera shtetërore. “Ky dokument është një pikë e mirë referimi për lloje të ndryshme të audiencave si: analistët tregtarë, politikbërësit, akademia, qendrat hulumtuese, kompanitë dhe shoqatat e biznesit”, theksoi Kastrati, duke falënderuar stafin e Departamentit të Tregtisë dhe ekipin e projektit të BE-së për punën të cilën e kanë bërë në hartimin e  një dokument i cili besoj se do të jetë një udhërrëfyes i vlefshëm për proceset ekonomike dhe tregtare të Kosovës.

Udhëheqësja e Departamentit të Tregtisë, Sytrime Dervisholli, gjatë këtij prezantimi theksoi se  ky raport, i pari në vargun e raporteve të rregullta vjetore, jep një analizë të thellë të tregtisë dhe zhvillimeve të lidhura me tregti në Kosovë në 15 vitet e fundit. "Raportet vjetore janë vetëm pjesë e një vargu të tërë të ri të publikimeve për tregti të cilat janë iniciuar nga Departamenti i Tregtisë në vitin 2015. Ato përfshijnë informata të shkurtra, raporte periodike, raporte tremujore dhe raporte vjetore, si dhe dokumente për politika. Qëllimi i kësaj qasje të re është të bëhen analiza të cilat mund të informojnë mbi politikëbërjen e bazuar në fakte në fushën e tregtisë ndërkombëtare”, tha Dervisholli.

Sipas saj, raporti analizon çështjet e bilanci negativ të vazhdueshëm tregtar dhe implikimet e tij për zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë, përbërja sektoriale e tregtisë, me vëmendje të posaçme në tregtinë e mallrave dhe shërbimeve.

Udhëheqësi i projektit të BE-së për Politika Tregtare, Daniel Linotte, gjatë prezantimit të tij potencoi rolin e raporteve të tilla në fushën e tregtisë ndërkombëtare. Sipas tij, ky raport do të jetë tejet i rëndësishëm për investitorët e huaj që dëshirojnë të vijnë në Kosovë.

Ky raport analitik është i pari i këtij lloji dhe tani e tutje do të jetë raport periodik.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors