Oda Ekonomike Amerikane ka organizuar, të martën në Prishtinë, tryezë mbi shfrytëzimin e potencialit të Kosovës për eksport të produkteve dhe shërbimeve për zhvillim të shpejtuar ekonomik. Në këtë tryezë, ku janë trajtuar sfidat me të cilat ballafaqohen ndërmarrjet në Kosovë, në depërtimin në tregje të huaja, ishte e pranishme edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.
Në fjalën e saj, ministrja Bajrami theksoi se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë po vazhdon dialogun me sektorin privat, në mënyrë që të dëgjohen nga vetë përfaqësuesit e bizneseve pengesat dhe barrierat me të cilat ata ballafaqohen.
Ministrja, po ashtu, theksoi se institucionet po merren shumë seriozisht dhe po japin maksimumin për adresimin e të gjitha çështjeve që lidhen me bizneset kosovare.
“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është e bindur që suksesi i kompanive kosovare në tregjet e jashtme varet shumë nga politikat zhvillimore dhe politikat fiskale që ne i kemi brenda vendit. Pikërisht për këtë arsye, ne kemi ndërmarrë një serë hapash dhe reformash të ndryshme, qoftë legjislative, qoftë fiskale, dhe të gjitha janë bërë në bashkëpunim me përfaqësuesit e bizneseve, ku shpeshherë kemi ndryshuar edhe orientimet në bazë të kërkesave të përfaqësuesve të bizneseve. Në këtë kontekst, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në bashkëpunim më shumë autorë të tjerë, ka ndërmarrë përmirësimin e një serë ligjesh, të cilat po bëhen pikërisht për të shkuar në favor të bizneseve”, theksoi ministrja Bajrami.
Ministrja Bajrami bëri të ditur se MTI ka ndryshuar komplet pakon e ligjeve që kanë të bëjnë me pronësinë industriale dhe se një numër i tyre është ndryshuar dhe është ratifikuar në Parlamentin e Republikës së Kosovës, si dhe të tjera janë në plotësim dhe ndryshim.
Ajo, po ashtu, theksoi se një sfidë tjetër më të cilën janë duke u marrë dhe është duke u punuar është përmirësimi i infrastrukturës së cilësisë. Duke iu referuar përpjekjeve të Kosovës për liberalizmin e tregtisë, ministrja Bajrami u shpreh e bindur se liberalizmi i tregtisë nuk sjell në mënyrë automatike qasje në tregjet e huaja, por konkurrueshmëria, politikat tjera dhe investimet tjera.
“Qëllimi kryesor për liberalizmin e tregtisë është që në fakt t’iu ofrohet ndërmarrjeve tona qasje në tregjet e huaja dhe gjithashtu të bëhemi një vend shumë më atraktiv për bizneset e huaja, për investimet e huaja, që janë bartëse kryesore të eksporteve në Kosovë. Ne si Ministri, po punojmë që t’i rrisim kapacitetet në kuadër të Metrologjisë, akreditimit, po punojmë që të kemi në posedim të gjitha standardet që kërkohen nga ana juaj. Gjithashtu, jemi duke punuar intensivisht në mobilizimin e fondeve nga ana e donatorëve për një projekt për certifikim të produkteve në bazë të standardeve të cilësisë. Ne mendojmë që ndërmarrjeve prodhuese t’iu ndihmohet që ato të përmbushin standardet ndërkombëtare të cilësisë, në mënyrë që të jenë në gjendje t’iu bëjnë konkurrencë produkteve që vijnë nga jashtë në tregun vendor”, theksoi ministrja Hykmete Bajrami.