Sot në Graçanicë, me rastin e Ditës Botërore të Turizmit, u organizua tryeza e rrumbullakët me përfaqësues të komuniteti të biznesit, që i takojnë fushës së promovimit dhe zhvillimit të kapaciteteve turistike, si dhe me përfaqësues të donatorëve ku u diskutua rreth mbështetjes së projekteve të promovimit dhe zhvillimit të sektorit privat në Kosovë.
Në këtë tryezë morën pjesë: ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, me bashkëpunëtorë; ambasadorja e Francës në Kosovës, Maryse Daviet; përfaqësues nga USAID-i; përfaqësues nga Swisscontact-i; përfaqësues nga UNDP-ja; si dhe përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës dhe të Aleancës Kosovare të Biznesit.
Me këtë rast, ministrja Hykmete Bajrami tha se Kosova synon të anëtarësohet në Organizatën Botërore të Kombeve të Bashkuara të Turizmit (UNWTO). “Besojmë që është momenti i duhur që edhe Kosova të jetë pjesë e kësaj organizate botërore të turizmit, ashtu sikundër që presim të jemi edhe anëtarë të UNESCO-s, të OBT-së dhe të organizatave tjera të rëndësishme ndërkombëtare, që do ta ndihmojnë Kosovën në ngritjen e kapaciteteve dhe të standardeve menaxhuese dhe do të plotësojnë më tej identitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, kështu u shpreh ministrja Bajrami, duke shtuar se Turizmi ka përjetuar rritje të vazhdueshme dhe tanimë është shndërruar në sektorin ekonomik me rritjen më të shpejtë në botë.
Ajo foli edhe për turizmin modern, që është i lidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik dhe përfshin shumë destinacione të reja për turistët. “Këto dinamika kanë bërë që turizmi të ketë rol kyç për progres socio-ekonomik. Turizmi është bërë një nga sektorët kryesorë në tregtinë ndërkombëtare dhe përfaqëson në të njëjtën kohë një nga burimet kryesore të të ardhurave për shumë vende në zhvillim. Turizmi kontribuon me 5% të GDP-së botërore. Ai gjeneron 6% të eksporteve të botës në shërbime duke qenë sektori i katërt i eksportit më të madh, pas karburanteve, kimikateve dhe produkteve të automobilave. Turizmi është burim për 235 milionë vende pune, ose një në çdo 12 vende pune në mbarë botën. Turizmi në shumë vende të zhvilluara, por dhe në ato më pak të zhvilluara është opsioni më i zbatueshëm për përkrahje të zhvillimit ekonomik. Andaj edhe Kosova si shtet në zhvillim mund ta përdor turizmin si sektor me potencial për zhvillimin ekonomik në përgjithësi.”, ka bërë të ditur ministrja Bajrami.
Ministrja Bajrami i informoi të pranishmit edhe për Planin zhvillimor për sektorin e turizmit, i cili është në fazën finale, që synon se deri në vitin 2020 të marrë pjesë në GDP me 7-8 për qind, si dhe ka filluar rishikimi i legjislacionit në fuqi për të krijuar një ambient më të përshtatshëm për sektorin privat.
Të pranishmit, u njoftuan nga ministrja Bajrami edhe rreth hartimit të politikave turistike, ku janë arritur marrëveshje me shtetet e rajonit, si me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë, ndërkaq me Slloveninë është nënshkruar marrëveshja për bashkëpunim ne fushën e zhvillimit ekonomik, që përfshin edhe turizmin, dhe njëkohësisht është duke u punuar në rritjen e numrit të marrëveshjeve edhe me shtetet tjera të rajonit dhe më gjerë.
Ministrja Hykmete Bajrami, me theks të veçantë, i falënderoi donatorët, të cilët janë duke e mbështetur Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në promovimin dhe zhvillimin e sektorit privat në fusha të ndryshme ekonomike.