Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë, Besian Mustafa bashkë me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, dhe kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, sot kanë nënshkruar marrëveshjen për fillimin e projektit “After care”.
Projekti financohet nga ambasada Britanike në Kosovë dhe ka për qëllim të masë opinionin e investitorëve të huaj në Kosovë. Përmes anketikit të investitorëve synohet të identifikohen problemet dhe sugjerimet e tyre me qëllim të krijimit të klimës sa më të favorshme të të bërit biznes.
z. Mustafa e ka cilësuar këtë projekt me rëndësi për KIESA-n dhe OEK-un pasi që Informatat që do të mblidhen nga ky projekt do të ndihmojnë KIESA-n të ju ofroj investitorëve të huaj shërbime after care dhe OEK-së do të i ndihmojë të ju shërbejë anëtarëve të saj sa më mirë.
“Investimet e huaja direkte në Kosovë luajnë një rol kyç në zhvillimin ekonomik dhe uljen e papunësisë në Kosovë. Është e domosdoshme të jemi të njoftuar me problemet, sfidat dhe planet e investitorëve të huaj që momentalisht kanë investuar në Kosovë. Prandaj, anketimi i pothuajse të gjithë investitorëve të huaj në Kosovë është një hap i domosdoshëm për Agjencinë KIESA dhe për Odën Ekonomike të Kosovës.”, ka deklaruar Mustafa.
Ambasadori i Britanisë së Madhe gjatë fjalimit të tij tha se është i lumtur të mbështes iniciativa të tilla të KIESA-s dhe OEK-ut. Ai po ashtu tha se duhet hapur rruga investitorëve të huaj që të investojnë në Kosovë dhe me pakon e re fiskale është treguar se po hapet shteg për zhvillim ekonomik.
“Rruga e cila duhet ndjekur për tërheqjen e investitorëve është e ditur. Mjafton vullneti politik, gjyqësori i vendosur dhe i rreptë ndaj shkelësve të ligjit, dhe politika të mira te mbështetjes pas investimit. Pako e re fiskale, tregon se po hapet shtegu për tërheqjen e investitorëve të rinj” theksoi O’Connel.
Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu theksoi se me rastin e nënshkrimit të këtij partneriteti dhe këtij projekti po forcohet një urë e partneritetit intern dhe ekstern. Parneriteti intern ka të bëjë me avancimin e dialogut në mes të institucioneve vendore dhe avancimi i partneritetit dhe dialogut publiko-privat.
Përfitues i projektit “After care” do të jetë KIESA.