Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, priti në takim ambasadorin e Republikës së Kroacisë, z. Zoran Vodopija, së bashku kryetarin e Odës Ekonomike në Kroaci, z. Lluka Buriloviç. Në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu. Ky takim bëhet në vazhdën e Forumit Ekonomik Kosovë-Kroaci, në të cilin po marrin pjesë disa biznese kroate dhe kosovare, me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.
Ministrja Bajrami i informoi mysafirët se agjenda e Qeverisë së Republikës së Kosovës, është kryesisht agjendë ekonomike. Megjithëse kemi shumë sfida para vetes si shtet i ri, ne jemi të sigurt se me ndihmën e miqve tanë, në mesin e tyre edhe Kroacia, do t’i tejkalojmë ato dhe do avancojmë agjendën tonë evropiane.
Ajo më tej theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës, ka ndërmarrë reformat e nevojshme në dobi të bizneseve. Me pakon e re fiskale lehtësohet puna e bizneseve që merren me prodhim, dhe po ashtu janë thjeshtëzuar sistemi dhe procedurat tatimore.
Ministrja Bajrami dhe ambasadori Vodopija, vlerësuan se shkëmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve kanë shënuar rritje të konsiderueshme, por ato mund të intensifikohen edhe më tej.