Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, ishte pjesë e delegacionit të Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, në vizitën shtetërore në Republikën e Shqipërisë, prej 10-11 shtator 2015.
Ministrja Bajrami, gjatë takimeve të delegacionit kosovar me krerët më të lartë shtetërorë të Republikës së Shqipërisë, si dhe në takimin bilateral me homologun e saj, ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë të Shqipërisë, z. Arben Ahmetaj, potencoi se shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërinë, janë rrituar dukshëm vitet e fundit, porse ekziston një disbalanc tregtar mes dy vendeve. Ajo shprehu shqetësimin e saj që rritja e ngadalshme e eksportit kosovar për Shqipëri mund të jetë ndikuar, përveç tjerash edhe nga barrierat teknike me të cilat po përballen disa kompani kosovare, të cilat si pasojë e këtyre barrierave jotarifore e burokratike po u pamundësohet eksporti në Shqipëri.
Me këtë rast, ministrja Bajrami u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të zbatojnë plotësisht marrëveshjet për lehtësim të tregtisë dhe marrëveshjet tjera të nënshkruara mes dy qeverive, në mënyrë që të eliminohen të gjitha barrierat tregtare dhe të intensifikohet bashkëpunimi ekonomik e tregtar mes të dy vendeve.
Krerët më të lartë të Republikës së Shqipërisë, presidenti Nishani, kryeparlamentari Meta, kryeministri Rama dhe ministrat e linjës Ahmetaj e Panariti, shprehën zotimin e tyre serioz për zgjidhjen sa më të shpejtë të të gjitha çështjeve të ngritura dhe për këtë të dy delegacionet u dakorduan për një plan veprimi me afate të caktuara kohore