Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, aprovoi Projektligjin për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, të sponsorizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, i cili bëhet në kuadër të procedimit të përshpejtuar të pakos legjislative dhe reformës administrative në funksion të përmirësimit të ambientit biznesor.
Objektiv i këtij projektligji është krijimi i bazës ligjore të mirëfilltë, që të ndihmojë në zgjidhjen e problemit të qasjes së kufizuar në financa, si pengesë për zhvillimin e NMV-ve, punësimin si dhe zhvillimin ekonomik në Kosovë. Me këtë ligj bëhet themelimi i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, i cili drejtpërdrejt i shërben interesit publik dhe përkrah plotësisht strategjinë për NVM-të dhe Strategjinë për Zhvillimin e Sektorit Privat.
Donatorët ndërkombëtarë janë zotuar se do të kontribuojnë me rreth 18 milionë euro, si asistencë teknike për të zhvilluar dhe implementuar Fondin Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) si dhe për të financuar kapitalin për të mbështetur garancitë.
Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do të jetë një institucion i pavarur, autonom, i cili do të funksionojë në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës, do të ketë përgjegjësinë e plotë në bazë të Ligjit për qeverisje koorporative, kontabilitetin, auditimin dhe raportimin, sikurse që është pak analog me Fondin për Sigurimin e Depozitave.