Mbahet mbledhja e parë e Grupit Punues për çështje tregtare dhe adresimin e barrierave tregtare

Sot, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, u mbajt mbledhja e parë e Grupit Punues për çështje tregtare dhe adresimin e barrierave tregtare, në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës.

Në fjalën hyrëse, ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, njëherësh edhe kryesuese e këtij grupi, ritheksoi nevojën e vazhdimit të agjendës ekonomike të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ajo  më tej shtoi se ky takim përveç që është një takim konstituiv po ashtu në rend dite ka analizën e gjendjes aktuale në tregtimin me qumësht dhe produkte të qumështit si dhe barrierat tregtare të vendosura nga vendet e rajonit.

Nga të dhënat që u paraqitën në takim nga anëtarë të institucioneve të ndryshme brenda këtij grupi punues, u tha se në bazë të të dhënave të deritanishme nuk kemi bazë ligjore për ndërmarrjen e masave anti-dumping dhe masave mbrojtëse.

Grupi Punues, në kuadër të Departamentit të Tregtisë, pasi të kompletojë të dhënat e kërkuara nga shtetet e BE-së dhe ambasadat tona në këto vende, do të shikojë mundësitë e vendosjes së masave anti-dumping, në rast të përmbushjes së kushteve që kërkon Ligji për masa anti-dumping. Gjithashtu, statistikat e prodhimit vendor të vërtetohen nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dhe pas rekomandimeve të veçanta të merren masa konform kësaj situate.

Grupi, po ashtu, diskutoi një varg çështjesh që kanë të bëjnë me eliminimin e të gjitha barrierave tregtare, qofshin ato barriera jo-tarifore apo teknike, doganore apo administrative si dhe ato të lidhura me rregullat e origjinës dhe fushën e masave sanitare e fito-sanitare. Pas analizës dhe paraqitjes së të dhënave sa u përket barrierave tregtare të vendit tonë me vendet e rajonit dhe për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë të këtyre çështjeve që i sfidojnë bizneset gjatë tregtimit të produkteve të tyre, grupi mori vendim që mekanizmi rajonal i CEFTA-s të shërbejë si mekanizëm kryesor për adresimin dhe zgjidhjen e problemeve si dhe takimet bilaterale me vendet e rajonit.

Mbledhja e radhës e Grupit Punues për çështje tregtare dhe adresimin e barrierave tregtare, në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, do të mbahet më 20 gusht 2015, ku do të paraqiten të dhënat e plotësuara para mbledhjes së tretë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, dhe do të shikohen mundësitë për ndryshimet eventuale në ligjet për masa mbrojtëse dhe masa anti-dumping.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors