Ministrja Bajrami, në vazhdën e takimeve të rregullta konsultative rreth Projektit për Zhvillimin e Qendrës Turistike (PZHQTB) të Brezovicës, takoi drejtorin e USAID-it për Kosovë, James Hope dhe z. Pascal Roux, drejtor në MDP Consulting dhe përfaqësues i konsorciumit fitues të këtij projekti.
Drejtori i USAID-it, James Hope, foli për gatishmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit në përkrahje të mëtutjeshme të Projektit për Zhvillimin e Qendrës Turistike të Brezovicës.
Z.Roux, po ashtu, informoi të pranishmit se konsorciumi francez, në bazë të kërkesës për propozim dhe kontratës, është në përgatitje e sipër të dorëzimit të dokumentet si: përmbyllja financiare, plani i vlerësimit mjedisor. Gjithashtu, ai vuri në pah se gjithnjë e më shumë po rritet numri i të interesuarve për t’u bërë pjesë e projektit dhe se po bëhet një angazhim i fortë për qëndrueshmërinë e mjedisit.
Ministrja Bajrami, edhe njëherë shprehu gatishmërinë e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për mbështetjen e plotë në realizimin e këtij projekti, i cili u cilësua nga të gjitha palët si projekt i rëndësisë së veçantë për Republikën e Kosovës, për zhvillimin ekonomik të Komunës së Shtërpcës në veçanti dhe për ekonominë e gjithmbarshme të Kosovës, në përgjithësi.