Ministrja Bajrami mori pjesë në konferencën ”Bisedimet ekonomike të Vjenës – investimet dhe bashkëpunimi rajonal”

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ishte në panelin “Ekonomia është motor – përcaktim i prioriteteve rajonale”, në bisedimet ekonomike të Vjenës – investimet dhe bashkëpunimit rajonal, organizuar nga Forumi Ekonomik i Vjenës (VEF), që u mbajt sot në Vjenë.

Ministrja Bajrami fillimisht falënderoi organizatorët për kontributin e tyre në zhvillimin e Ballkanit, dhe në veçanti për mbështetjen e tyre në Kosovë, në dekadën e fundit, në saje të së cilës Kosova merr pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, që nga viti 2006. Kjo është Organizata e parë Ndërkombëtare, ku Kosova u bë anëtare në cilësinë e shtetit të pavarur. “Si përfaqësuese e Qeverisë së Kosovës, unë jam krenare që vendi im tanimë është i njohur gjerësisht si një partner dhe kontribuues i stabilitetit dhe iniciativave rajonale”, shtoi ministrja.

Konkurrenca është ajo që ne besojmë dhe ne jemi duke investuar në burime të vazhdueshme financiare dhe njerëzore për të përmirësuar infrastrukturën e cilësisë dhe për të implementuar standardet ndërkombëtare.

Si një shtet i vogël ballkanik , në periferi të Evropës, jemi të vetëdijshëm se duhet të punojmë më shumë dhe të rritemi më shpejt për të arritur standardet evropiane të të ardhurave dhe produktivitetit. Ky është objektivi ynë dhe ne jemi duke bërë reformat e nevojshme në drejtim të përmirësimit të klimës së investimeve që do të mundësojnë normë të lartë të rritjes ekonomike, për të siguruar gjenerimin e vendeve të punës me ritmin e trendëve evropianë.

Në vazhdim të fjalës së saj ministrja kërkoi mbështetjen e drejtpërdrejtë të vendeve të BE-së përmes mundësisë për punë sezonale për qytetarët e Kosovës, ndërsa heqjen e regjimit të vizave ajo e vlerësoi si hapje të mundësive për më shumë shkëmbime dhe partneritete mes Kosovës dhe BE-së. Ne jemi të vetëdijshëm, tha ajo, se liberalizimi i vizave nuk do të zgjidhë të gjitha problemet tona, por kjo do t’iu japë qytetarëve dhe bizneseve lirinë për të lëvizur, si të gjithë qytetarët tjerë të Evropës, po ashtu për të marrë nga tregu i lirë i Evropës, pjesë e  të cilit jemi edhe ne.

Sa i përket stabilitetit makroekonomik dhe fiskal , Kosova është në pozitë të mirë. Ky fakt është pranuar edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Së fundi kemi nënshkruar programin me FMN-në për huazim financiar për investime kapitale .

Ministrja Bajrami, duke raportuar për progresin e arritur në Kosovë, në infrastrukturë foli për ndërtimin e autostradës Kosovën-Shqipëri, e cila do të vazhdojë deri në kufirin me Serbinë. Ajo po ashtu përmendi fillimin e investimeve në autostradën Shkup-Prishtinë.

Përmes një partneriteti publiko-privat ne gjithashtu kemi arritur të kemi një aeroport modern; megjithatë buxheti ynë nuk lejon zgjerimin e sistemit hekurudhor dhe lidhjen e tij me korridore të rëndësishme hekurudhore. Ky është një angazhim i madh financiar për një ekonomi të vogël si e jona, prandaj ne do të kemi nevojë për mbështetje të jashtme për të përmirësuar këtë infrastrukturë të rëndësishme të transportit. Ndërsa, vazhdoi ministrja, sa i përket sektorit të energjisë, Kosova dhe Shqipëria janë duke punuar në ndërtimin e një linje transmetimi 400 KW, me mbështetjen e Qeverisë gjermane. Zbatimi i projektit tashmë ka filluar. Ne jemi gjithashtu në procesin e përfundimit të transaksionit për ndërtimin e një termocentrali 600 MW në Kosovë.

Ministrja Bajrami i informoi të pranishmit se Qeveria e re është angazhuar seriozisht për të krijuar një klimë më të mirë biznesi që do të jetë tërheqëse për investimet e huaja. Ne kemi përmirësuar në mënyrë dramatike renditjen e Bankës Botërore në të bërit biznes, të vetëdijshëm se ka edhe shumë për t'u bërë, për të krijuar një mjedis më të qëndrueshëm dhe të besueshëm.

Vazhdojmë të jemi të përkushtuar për integrimin e mëtejmë të ekonomisë së Kosovës në tregjet rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare. Nëpërmjet pjesëmarrjes sonë aktive në CEFTA dhe në mekanizmat tjerë të rajonit, ne jemi duke u përpjekur për të eliminuar pengesat dhe për të siguruar lëvizjen e lirë të mallrave brenda dhe jashtë vendit tonë. Aktualisht jemi duke negociuar tregtinë në shërbime në kuadër të CEFTA-s. Gjithashtu jemi anëtar aktiv i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), që është duke luajtur një rol të rëndësishëm në integrimin e mëtejshëm të rajonit tonë. Ndërkohë, po përgatitemi për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, menjëherë pas nënshkrimit dhe ratifikimit nga institucionet e BE-së dhe të Kosovës, tha ministrja.

Ministrja, po ashtu, shprehu zotimin Qeverisë së Kosovës për mbështetje të procesit të Berlinit për Ballkanin, ndërkaq shprehu shpresën se Samiti i Vjenës i 27 gushtit do të jetë një sukses i konsiderueshëm real me rezultate konkrete nga aspekti i zotimeve financiare nga partnerët evropianë.

Në fund, ministrja shprehu mirënjohjen për mbështetjen e çmuar politike të Austrisë dhe BE-së, si dhe mbështetjen përmes investimeve publike në fazën e rindërtimit të Kosovës. Tani është koha për investime private dhe fitimprurëse. Kosova po bëhet një surprizë pozitive e Ballkanit dhe ju jeni të mirëpritur të bëheni pjesë e saj, theksoi në fund ajo.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors