Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët, të organizuar nga Kuvendi Komunal i Pejës. Tryeza u organizua me qëllim të bashkëbisedimit mes bizneseve të rajonit të Pejës dhe ministres Bajrami, për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Tregtisë e Industrisë dhe bizneseve.
inistrja Bajrami u shpreh e kënaqur që po takon bizneset në vendet ku ata kryejnë aktivitetet e tyre. Edhe ky takim është rrjedhojë e shumë takimeve ditore që kemi zhvilluar me bizneset që nga fillimi i mandatit, u shpreh ajo. Ministrja personalisht informoi pjesëmarrësit edhe me prioritetet dhe objektivat strategjike të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, që kanë për qëllim zhvillimin ekonomik të vendit, duke u bazuar në iniciativën private, konkurrencën dhe tregun e hapur. Objektivë themelore e MTI-së gjatë këtij mandati qeverisës do të jetë fuqizimi i sektorit privat, përmirësimi i infrastrukturës së cilësisë, integrimi i ekonomisë së Kosovës në tregjet rajonale dhe globale si dhe thellimi i bashkëpunimit me komunitetin e biznesit dhe intensifikimi i dialogut publiko-privat.
Ministrja Bajrami i njoftoi të pranishmit për projektet që mbështesin drejtpërdrejt bizneset si dhe për marrëveshjet ndërkombëtare që ka nënshkruar deri më tash Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në funksion të integrimeve ekonomike rajonale dhe globale. Më tej, ajo vuri në pah përgatitjet për ndryshimet e pakos fiskale, ku ndër të tjera parashihet lirimi nga taksa doganore dhe TVSH-ja për pajisjet e importuara dhe për lëndën e parë që nuk prodhohet në Kosovë.
Drejtues të bizneseve kanë mirëpritur iniciativat dhe aktivitetet e MTI-së me qëllim të eliminimit të barrierave, të përmirësimit të ambientit për biznes dhe investimeve në Kosovë. Ata shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunim me MTI-në në realizimin e projekteve që kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe krijojnë vende të reja pune.