Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në takimin koordinues për përgatitjen e dokumentit të Programit të Strategjisë së Evropës Juglindore (SEE 2020) për periudhën 2017 – 2019.
Në adresimin e saj para pjesëmarrësve, ministrja Bajrami theksoi se aktivitetet e ndërlidhura me programimin e këtij dokumenti do të përqendrohen në tri fusha kryesore: aftësitë dhe lëvizshmëria, konektiviteti dhe konkurrueshmëria. “Të tri këto fusha janë të një rëndësie të madhe për ekonomitë e të gjitha shteteve tona si dhe për synimet tona për rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në Bashkimin Evropian”, tha ministrja Bajrami, e cila më tej shtoi se Qeveria e Kosovës i konsideron këto premisa të një rëndësie prioritare dhe për këtë qëllim ato janë po ashtu pjesë të rëndësishme të cilat i kemi përfshirë në kuadër të strategjive tona nacionale të cilat ne i kemi hartuar, si: Programin e Reformave Ekonomike 2016-2018: Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2016 – 2021; Agjenda e Reformave Evropiane; Plani Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, etj. Znj. Bajrami potencoi se Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të jetë mbështetëse e implementimit të Strategjisë se Evropës Juglindore 2020 sepse kjo reflekton qasjen tonë konstruktive për bashkëpunim me vendet e rajonit si dhe ecje drejt integrimit në Bashkimin Evropian, sepse implementimi i saj prodhon zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të punës. Ministrja nënvizoi se implementimi i deritanishëm i Strategjisë së Evropës Juglindore (SEE 2020) ka sjellë rezultate të mira në aspektin ekonomik mirëpo mbeten edhe mjaft sfida të cilat duhet adresuar në të ardhmen sidomos në aspektin e lehtësimit të tregtisë.