U mbajt mbledhja e shtatë e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës

Sot u mbajt mbledhja e shtatë e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës (KKZHE), ku u diskutua për tema që kanë të bëjnë me reformimin e mjedisit afarist në vendin tonë dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Në hapjen e punimeve të këtij takimi, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, theksoi që është punuar shumë në krijimin e një mjedisi më të favorshëm për të bërit biznes në vend. Ai përmendi përmirësimin e renditjes së Kosovës në Raportin e Bankës Botërore për të bërit e cila në raportin e fundit është renditur në vendin e 60-të nga ai 66-të në nivel global. Kryeministri Mustafa u shpreh po ashtu se qëllimi i qeverisë është që politikat tona të jenë në përputhje me kërkesat e bizneseve; të stimulohet aktiviteti prodhues dhe që taksat t’u kthehen bizneseve dhe qytetarëve në shërbime dhe investime nga institucionet publike, tha ai. Z. Mustafa përmendi disa nga të arriturat pozitive nga takimi i fundit i KKZHE-së, si: takimi i parë i Këshillit të MSA-së në Bruksel dhe nënshkrimi i marrëveshjes kornizë me BE-në e cila ofron qasje në programet e BE-së për ndërmarrjet kosovare; rezultatet në përmirësimin e legjislacionit, eliminimin e burokracisë, investimet në infrastrukturë, lehtësimin e qasjes në financa për bizneset përmes Fondit për Garanci Kreditore përmes të cilit deri tani janë lëshuar 63 kredi ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, potencoi ai. Në anën tjetër, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në cilësinë e koordinatores së KKZHE-së, theksoi se ky Këshill, i kryesuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, është shndërruar në një mekanizëm mjaft funksional të dialogut publik-privat i cili po punon në përmirësimin e mjedisit afarist në vend – që është një nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës. Znj. Bajrami theksoi se janë shënuar një varg zhvillimesh pozitive lidhur me avancimin e agjendës ekonomike, aktivitetin e shtuar të bizneseve, krijimin e politikave në favor të bizneseve vendore dhe tërheqjes së investitorëve të huaj. Në takim, Sekretariati si dhe kryesuesit e grupeve punuese të KKZHE-së raportuan rreth progresit të arritur deri tani sa i takon përmbushjes së detyrave me të cilat kanë qenë të ngarkuar nga mbledhja e gjashtë e Këshillit. Këshilli diskutoi për efektet e reformave fiskale të ndërmarra nga Ministria e Financave vitin e shkuar si dhe punën që po bëhet për ndërmarrjen e pakos më të re të reformave fiskale e cila do të krijojë lehtësira të shumta për bizneset kosovare. Në takim u bë edhe prezantimi i masave të reformës strukturore të Programit për Reforma në Ekonomi ku u raportua për masat prioritare të Qeverisë së Kosovës të cilat do t’i dorëzohen Komisionit Evropian në janar të vitit të ardhshëm. Po ashtu, në këtë takim KKZHE diskutoi për ndryshimin e ligjit të punës dhe u bë thirrje që të vazhdohet me draftimin e ligjit të ri i cili do të adresojë disa nga sfidat e identifikuara nga ligji aktual. Këshilli diskutoi edhe rreth problemeve me furnizimin me energji, sikurse çështja e maksigrafit, tarifave progresive të energjisë elektrike, etj., dhe u vendos që përmes koordinimit ndërinstitucional këto çështje të ngritura shumë shpesh nga komuniteti i biznesit të zgjidhen sa më shpejt.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors