Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, si koordinatore e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik dhe Udhëheqëse e Task Forcës ndërinstitucionale për përmirësimin e indikatorëve të Bankës Botërore për “Të Bërit Biznes” organizoi takim në të cilin u diskutua rreth çështjeve të ngritura nga komuniteti i biznesit lidhur me furnizimin e rregullt dhe cilësor me energji elektrike. Në takim morën pjesë zv. kryeministri, Ramiz Kelmendi, ministra dhe zëvendës ministra të Qeverisë së Kosovës, përfaqësues të KEDS-it, ZRRE-së, si dhe përfaqësues të asociacioneve të biznesit
Në fjalën e saj, ministrja Hykmete Bajrami theksoi se qeveria e vendit gjatë dy vite të fundit ka bërë reforma substanciale për përmirësimin e ambientet të bërit biznes në vend. Në këtë kontekst, ajo përmendi disa nga veprimet e ndërmarra me qëllim të nxitjes së zhvillimit ekonomik të Kosovës duke përfshirë, përmirësimin e politikave fiskale, eliminimin e burokracisë, promovimin e produkteve vendore dhe mbështetjen e ndërmarrjeve për ngritje të cilësisë, thjeshtimin e procedurave për marrjen e lejeve dhe licencave, ndërtimin e zonave ekonomike dhe qasjes më të lehtë në financa përmes Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.
Ministrja Bajrami, paraqiti në këtë takim kërkesat e asociacioneve të biznesit drejtuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike dhe KEDS-it si dhe kërkoi nga këta të fundit që të japin afat kohore për përmbushjen e këtyre kërkesave të cilat po e vështirësojnë punën e bizneseve.
Edhe përfaqësuesit e asociacioneve të biznesit prezantuan pikëpamjet e tyre dhe kërkuan nga ZRRE dhe KEDS-i që t’i marrin seriozisht kërkesat dhe preokupimet e bizneseve sepse kjo ndërlidhet drejtpërdrejt në klimën e përgjithshme investive dhe zhvillimin ekonomik të vendit.