Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) organizoi Forumin për Investime dhe Tregti Kosovë-Itali, që po mbahet në Romë të Italisë.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, së bashku me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, zëvendëskryeministrin Ramiz Kelmendi dhe ministrin, Avdullah Hoti po marrin pjesë në këtë forum.
Pjesëmarrës në këtë forum janë mbi 70 biznese italiane dhe 21 biznese kosovare, të cilët kanë interesim për investime dhe bashkëpunim ekonomik të ndërsjellët në sektorët e ndryshëm. Në këtë forum janë organizuar takime B2B në mes të bizneseve italiane dhe kompanive kosovare me qëllim të krijimit të marrëdhënieve investive e tregtare në mes dy vendeve.
Në fjalën e saj, ministrja Bajrami informoi pjesëmarrësit rreth proceseve ekonomike të cilat janë ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës në të mirë të përmirësimit të mjedisit afarist dhe tërheqjes së investimeve të huaja në vend, duke shpjeguar disa nga politikat e rëndësishme, përkatësisht reformat strukturore dhe fiskale cilat janë ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës në të mirë të përmirësimit të mjedisit afarist dhe tërheqjes së investimeve të huaja në vend.
Ministrja Bajrami tha se angazhimi i Qeverisë për përmirësimin e mjedisit afarist, eliminimi i barrierave administrative, përmirësimin e infrastrukturës, ofrimin e iniciativave, ka shënuar rezultate pozitive që janë konfirmuar edhe nga Raporti i fundit i Bankës Botërore, i cili e ka nxjerrë Kosovën në vendin e 60 në nivel global sa i përket lehtësisë së të bërit biznes.
Ndërsa, në aspektin e ndërtimit të një legjislacioni dhe të përshtatshëm për bizneset ministrja përmendi edhe Ligjin për Investime Strategjike, i cili, siç tha ajo, ofron një mekanizëm mjaft efikas ligjor për investitorët e huaj, që të realizojnë investimet e tyre në kohë më të shkurtër dhe pa pengesa burokratike; si dhe Ligjin për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, i cili ofron qasje më të lehtë në financa për biznese.
Ministrja Bajrami theksoi gjithashtu se Kosova ka liberalizuar tregtinë me tregjet të mëdha përmes marrëveshjeve të tregtisë së lirë, si CEFTA, MSA, etj., të cilat mundësojnë që kompanitë ndërkombëtare të prodhojnë në Kosovë me kosto të lirë operative dhe të eksportojnë në këto tregje pa detyrime doganore. Ajo i ftoi bizneset italiane dhe të tjerë që të investojnë në Kosovë dhe u zotua se qeveria e vendit do t’u ofrojë mbështetjen e plotë institucionale.
