Në kuadër të reformës të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmirësimin e klimës në të bërit biznes, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami; ministri i Financave Avdullah Hoti;
zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi; u.d. Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Agron Maxhuni; drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri; si dhe drejtori i Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), Gazmend Mejzini, janë takuar sot për të diskutuar për projektin e përbashkët të këtyre institucioneve për unifikimin e numrit të biznesit, që nënkupton se numri i regjistrimit të biznesit është i njëjtë me numrin fiskal dhe do të shërbejë si numër identifikues i biznesit.
Me këtë rast, u bë e ditur se me unifikimin e numrave të ndryshëm të biznesit, në një numër të vetëm, parashihet që ky numër të aplikohet në të gjitha procedurat e aktivitetit biznesor, që do t’ua lehtësojë edhe më shumë aktivitetin ndërmarrësve.
Ministri Hoti dhe ministrja Bajrami u dakorduan që përfaqësuesit e dy ministrive konkretisht nga ATK dhe ARBK të bëjnë përgatitjet e duhura për këtë çështje dhe muaji shkurt të jetë definues për t’u përfunduar unifikimi i numrit, në mënyrë që bizneset të kenë kohë që deri në fund të vitit 2017 të jenë të pajisur me numrin e unifikuar.
Po ashtu gjatë takimit u diskutua se unifikimi i numrit do të ndikojë në luftimin e ekonomisë joformale në Kosovë si dhe do të jetë një lehtësim për bizneset huaja të cilat duanë të investojnë në vendin tonë.