Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) dhe Komuna e Istogut organizuan konferencën informuese dhe dialoguese me bizneset e Komunës së Istogut.
Pjesëmarrës në konferencë ishin: kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami, ministri i Financave, Avdullah Hoti, përfaqësues të institucioneve relevante, si dhe përfaqësues te bizneseve të këtij rajoni.
Në këtë konferencë u prezantuan planet e Qeverisë së Kosovës dhe të Komunës së Istogut rreth zhvillimit të sektorit privat, si dhe për mundësinë e bashkëbisedimit dhe të bashkëpunimit me bizneset e kësaj komune. Në konferencë u paraqitën sfidat dhe kërkesat e bizneseve para përfaqësuesve të institucioneve qendrore dhe lokale.
Në fjalën e tij Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, tha se: “Ne si Qeveri jemi përcaktuar që në këtë mandat, zhvillimit ekonomik dhe punësimit t’i japim prioritet kryesor. Kemi pasur premtime lidhur me shkallën e rritjes ekonomike të cilën ne e synojmë, e cila pastaj mundëson që ne të përballojmë fluksin e të papunëve, sidomos të të rinjve dhe grave ku kemi papunësi të madhe. Kemi vërejtur se janë bërë përparime të konsiderueshme por se kërkohet edhe kohë që ne të kemi investime më të mëdha të cilat pastaj do të krijonin hapësirë për punësim më të madh, edhe për ndryshimin e bilancit tregtar me jashtë, sepse kemi një bilanc tregtar i cili është tepër i pavolitshëm për Kosovën për arsye se kemi importet shumë të mëdha në krahasim me eksportet. Ajo që ne e konsiderojmë si të arritur është se kemi arritur që të kemi stabilitet makroekonomik gjatë këtyre dy viteve, do të thotë kemi një rritje ekonomike prej rreth 4 për qind ose pak mbi 4 për qind, edhe për vitin 2015 edhe për vitin 2016, që është më e madhja në regjion, por e cila nuk na e zgjidh problemin sepse duhet të kemi së paku një rritje prej 6 ose 7 për qind në mënyrë që të fillojmë ta zgjidhim problemin e papunësisë.” Kryeministri më tej tha se “Kemi po ashtu edhe ulje të shkallës së papunësisë nga 35 në 26 për qind, që prapë e konsiderojmë se mund të jetë edhe më e ultë sepse në disa degë nuk po kemi fuqi të mjaftueshme punëtore varësisht nga kërkesat e tregut, por kemi shpërputhje në mes asaj se çka i nevojitet tregut të punës dhe çka prodhojnë institucionet e arsimit të mesëm dhe të lartë.” Ai foli poashtu edhe rreth pakos së re fiskale, zbatimit të MSA-së, rritjes së konkurrueshërisë së produkteve kosovare si dhe të projekteve tjera në të cilat po punohet si:”Kosova e Re”, Brezovica, etj.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, theksoi se janë duke u bërë përpjekje të vazhdueshme në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes. Ajo potencoi se është duke u bërë dialog i vazhdueshëm me bizneset për t’i dhënë mbështetje institucionale në tejkalimin e vështirësive apo pengesave të ndryshme që i preokupojnë bizneset.
Bajrami tha se Qeveria e Kosovës ka bashkëpunuar shumë me komunitetin e biznesit dhe se përmirësimet e bëra janë kërkesat e juaja në takimet tona të përditshme.
Më tej, ministrja Bajrami shtoi se është bërë harmonizimi i legjislacionit, ku kemi krijuar ligje të reja, siç është Ligji për Investime Strategjike, i cili e ka shtuar ofertën dhe atraktivitetin e Kosovës para investitorëve. Po ashtu, ajo përmendi se është bërë unifikimi i numrave të ndryshëm të biznesit, në një numër të vetëm, parashihet që ky numër të aplikohet në të gjitha procedurat e aktivitetit biznesor, ku do t’ua lehtësojë edhe më shumë aktivitetin ndërmarrësve.
Ministrja Bajrami ritheksoi edhe një herë se Fondi për Garanci Kreditore, që deri më tani janë lëshuar 103 kredi në kuadër të këtij fondi, është duke i dhënë rezultatet e veta.
Po ashtu, znj. Bajrami përmendi edhe përkrahjen e bizneseve në pjesëmarrje nëpër panaire brenda dhe jashtë vendit, pjesëmarrje e cila ka ndikuar që kompanitë kosovare të nënshkruajnë kontrata për eksport të produkteve të tyre në tregjet e huaja. Tashmë është bërë publik edhe programi për pjesëmarrje nëpër panaire gjatë vitit 2017, tha ajo.
Ndërsa ministri i Financave, Avdullah Hoti, e prezantoi “Pakon e re Fiskale 2.0” dhe lehtësirat e shumta që do të krijohen për bizneset kosovare nga kjo pako reformash.
Kryetari i Komunës së Istogut theksoi se është i kënaqur me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Kosovës në këtë aktivitet të rëndësishëm me bizneset e kësaj ane. Ai shprehu gatishmërinë e tij si kryetar Komune në mbështetjen e komunitetit të bizneseve të kësaj treve.
Gjatë qëndrimit në Istog, ministrja Bajrami vizitoi edhe kultivuesit e peshkut “Trofta” në Istog, si dhe biznesin prodhues “AGROPRODUKT shpk” në fshatin Sine të kësaj komune.