Ministrja Hykmete Bajrami mori pjesë në konferencën ”Programi për Ndërmarrësi të Femrave”, organizuar nga Banka TEB, me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga Banka TEB, Swisscontact, BERZH, Shoqata e Grave Afariste “SHE-RA” si dhe përfaqësuese të bizneseve të grave, ku u diskutua për mundësitë, sfidat dhe barrierat me të cilat përballen gratë afariste të Kosovës.
Në fjalën e saj, ministrja Bajrami theksoi se Qeveria e Kosovës e ka në fokus të programit të saj fuqizimin e gruas kosovare dhe po punon që të krijojë kushte më të përshtatshme që gratë kosovare të shndërrohen në aktere të rëndësishme në ekonominë e Kosovës, dhe kjo po bëhet përmes programeve të ndryshme, si lehtësimi i qasjes në financa, mbështetja në ndërtimin e kapaciteteve, në promovim, këshillim, etj., tha ajo.
Znj. Bajrami shtoi se po i mbështesim gratë sipërmarrëse përmes pjesëmarrjes në panaire të ndryshme, përmes vendosjes së bizneseve të grave nëpër parqet industriale, etj. Gjithashtu, ministrja Bajrami bëri të ditur se ndryshimet e bëra në Ligjin për Trashëgimi janë po ashtu një prej lehtësirave që do t’i ndihmojë gratë afariste në fuqizimin e qasjes në financa në mënyrë që ato të ngritin dhe zhvillojnë më shumë bizneset e tyre.
Ministrja Bajrami falënderoi bankën TEB për organizimin e kësaj konference si dhe për programin e përbashkët i cili po implementohet së bashku me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe akterët e tjerë, duke kontribuar shumë në rritjen e qasjes në financa për gratë afariste në Republikën e Kosovës.