Agjencia e Pronësisë Industriale e Kosovës (API), me mbështetjen e Zyrës së Komisionit Evropian, përmes projektit TAIEX ka organizuar një seminar në fushën e Treguesve Gjeografikë.
Ky seminar ka në fokus fushën legjislative, përkatësisht implementimin e legjislacionit gjatë shqyrtimit të kërkesave për regjistrim të Treguesve Gjeografikë.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Pronësi Industriale, Xhafer Tahiri, në hapje të këtij seminari theksoi se Treguesit Gjeografikë janë një mjet shumë i rëndësishëm për përkrahjen e prodhuesve tradicionalë dhe ndihmon jashtëzakonisht shumë në zhvillimin ekonomik të rajoneve që veçohen me produkte specifike.
Në këtë seminar po marrin pjesë përfaqësuesit e institucioneve që ndërlidhen me këtë fushë specifike si Ministria e Bujqësisë, Inspektorati i Tregut e Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës.
API dhe MTI janë të përkushtuara të përkrahin prodhuesit vendorë duke iu mundësuar atyre regjistrimin e produkteve të veçanta përmes Treguesve Gjeografikë.