Ministrja Bajrami në Forumin “Fol Hapur” prezantoi prioritetet dhe politikat e MTI-së, si dhe realizimin e planeve për dy vitet e kaluara  

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në Forumin “Fol Hapur” të organizuar nga Lëvizja FOL, ku temë e diskutimit ishin prioritetet dhe politikat e MTI-së për këtë vit si dhe diskutimi mbi realizimin e planeve për dy vitet e kaluara.

Duke prezantuar të arriturat e MTI-së, Ministrja Bajrami tha se gjatë kësaj periudhe janë fokusuar në mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, promovimin  e klimës së investimeve në Kosovë dhe përmirësimin e saj si dhe për mbrojtjen e konsumatorit  dhe rregullimin e tregut, duke qenë përgjegjës për politikat tregtare dhe politikat industriale në përgjithësi.

“Që nga fillimi i mandatit dhe me mbështetjen e madhe të kryeministrit, Qeveria Mustafa ka pasur në fokus agjendën e zhvillimit ekonomik”, tha ministrja Bajrami, duke shtuar se janë marrë shumë seriozisht me klimën e investimeve në Kosovë dhe ambientin e biznesit në përgjithësi duke u shprehur e sigurt që deri në një masë kjo është arritur. 

Ministrja Bajrami theksoi se deri më tani janë miratuar në kuadër të Ministrisë 10 ligje dhe 32 akte nënligjore, duke bërë të ditur se janë 22 udhëzime administrative dhe 9 rregullore dhe një Ligj të veçantë i cili nuk ka ekzistuar më herët, siç është Ligji për Investime Strategjike. 

Ministrja e MTI-së tha se qysh në fillim të mandatit është bërë një analizë për të parë se çka po ofrojnë vendet e rajonit në krahasim me Kosovën për investitorët e huaj në mënyrë që edhe Kosova të jetë më atraktive. 

“Ne kemi pasur përvoja edhe para këtij mandati në rolin e institucioneve të ndryshme kur kompani shumë kredibile kanë qenë të interesuara të investojnë në Kosovë. Kemi punuar në shumë fusha dhe në fushën e përafrimit të legjislacionit dhe deri tani kemi miratuar 10 ligje dhe vlen të përmendet Ligji për Investime Strategjike në mënyrë që të tërhiqen Investime të huaja direke. Ne kemi vërejtur që me kompani të mëdha nuk është sjellje e mirë që të kërkojmë nga to që të konkurrojnë. Ne kemi vërejtur interesim të madh edhe javën e kaluar, kur ka pasur kompani kanadeze që janë të interesuara të investojnë gjysmë miliardi euro investime dhe që ato duan ta marrin statusin e investitorit strategjik”, tha ministrja.

Ministrja Bajrami, po ashtu, tha se është punuar shumë edhe në kuadër të KIESA-s. 
“Kemi organizuar shumë tryeza me komunitetin e bizneseve për të parë se ku ata i kanë pengesat e tyre. Vetëm në vitin e kaluar kemi organizuar 17 panaire. Janë diku 178 kompani të cilat kanë marrë pjesë në këto panaire me ekspozimin e 1200 produkteve”, tha ministrja e MTI-së.

Ministrja Hykmete Bajrami theksoi po ashtu se janë organizuar edhe disa forume ekonomike, si Forumi Ekonomik në Londër i cili ka qenë shumë i suksesshëm, duke bërë të ditur se një i tillë do të zhvillohet edhe në Prishtinë, ku kompanitë të cilat janë të interesuara do të vijnë dhe do të njoftohen me projektet konkrete që do të prezantohen. 

Sa iu përket zonave ekonomike, ministrja Bajrami tha se Mitrovica e ka licencën për zonën ekonomike, derisa Gjakova nuk e ka licencuar pasi, siç bëri të ditur ministrja, kërkesën për licencim të zonave ekonomike e bëjnë komunat dhe jo Ministria. Në këtë kontekst, ministrja Bajrami bëri po ashtu të ditur se komunat fillimisht duhet t’i plotësojnë 7 kritere, që nga kriteret kryesore sipas saj është edhe prona.
Ndërkaq, duke folur edhe për Trepçën, ministrja Bajrami ka vlerësuar se shumë më mirë do të ishte sikur të kishte edhe investim privat, ndërsa sa i përket Projektit të Brezovicës bëri të ditur se janë duke punuar në një skenar të ri.
 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors